Jurgen Klopp ka kritikuar ashpër vendimin e FIFA-s për të anuluar pezullimin e sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, duke vënë në pikëpyetje edhe rolin e presidentit amerikan Donald Trump në këtë çështje.
Balogun u ndëshkua me karton të kuq direkt në fitoren 2-0 ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe FIFA kishte konfirmuar fillimisht se sulmuesi do të vuante automatikisht një ndeshje pezullim.
Megjithatë, një ditë para përballjes me Belgjikën në fazën e 1/16 së finales, FIFA ndryshoi vendimin dhe e lejoi Balogunin të luante, pas raportimeve për kontakte mes Shtëpisë së Bardhë, Donald Trumpit dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Vendimi shkaktoi reagime të shumta në botën e futbollit, ndërsa Klopp ishte një nga zërat më kritikë.
“Nëse kjo ka ndodhur vërtet, atëherë është çmenduri”.
“Le ta themi kështu: Ky është sporti ynë, jo i tyre. Këta dy njerëz, të cilët nuk kanë asnjë ide për futbollin, nuk duhet të kenë asnjë lidhje me këtë”.
“Ishte karton i kuq, nuk ka asnjë diskutim për këtë. Na vjen keq për Balogunin sepse nuk e bëri me qëllim, por kështu e thonë rregullat”, deklaroi Klopp.
Vendimi i FIFA-s për të ndryshuar pezullimin e Balogunit ka shkaktuar kritika të forta nga tifozë, analistë dhe zyrtarë të futbollit, të cilët e konsiderojnë atë një precedent të rrezikshëm për integritetin e garës./Telegrafi/
