Mjafton një detaj i zgjedhur mirë për ta kthyer xhinsin bazik në pamje me karakter dhe elegancë
Xhinset nga sezoni në sezon rishpikën vazhdimisht, duke ruajtur megjithatë pozicionin më të rëndësishëm në gardërobat tona. Për ta freskuar stilin dhe për të shmangur ngopjen me xhinsin e preferuar blu, nuk ka zgjidhje më të mirë se kombinimi me pjesë që janë në trend. E kemi fjalën për këpucë që ndryshojnë karakterin e veshjes, veshje me shtresa të menduara me kujdes, triko në ngjyrat dhe motivet kryesore të sezonit, si dhe yjet e sezonit pranveror mes xhaketave.
Sjellim 6 pjesë për pranverën 2026 që do të transformojnë çdo palë xhinse.
Xhaketë prej kamoshi
Xhaketa prej kamoshi do të jetë kudo këtë sezon dhe është e pamundur ta shmangni. Elegante dhe e përjetshme, kjo xhaketë ngre çdo veshje dhe sjell një prekje të balancuar të estetikës bohemiane të viteve shtatëdhjetë. Me të, edhe xhinset më të thjeshta duken më të stilizuara dhe më të rafinuara.
Dantella
Me ardhjen e ditëve më të ngrohta, do të dëshirojmë t’i freskojmë xhinset me një fustan të shkurtër asimetrik prej sateni, të zbukuruar me dantellë. Femërore dhe sensuale, ajo sjell kontrast dhe butësi ndaj ashpërsisë së xhinsit. Vishini më vete, kur kushtet e motit e lejojnë, ose me shtresa, poshtë një pulovri, trikoje apo xhakete të shkurtër për një pamje plot vetëbesim, transmeton Telegrafi.
Mokasinat
Këpucët e tipit detar rikthehen fuqishëm, por këtë sezon në formën e mokasinave. Duke bashkuar elegancën klasike me stilin e rregullt kolegjial, mishërojnë dy nga prirjet më të forta aktuale në botën e këpucëve. Me xhinse, i shtojnë menjëherë karakter çdo veshjeje.
Bluzë polo me mëngë të gjata me vija
Bluza polo me mëngë të gjata me vija ishte pjesë kyçe vjeshtën e kaluar, ndërsa me ardhjen e ditëve më të ngrohta e rikthejmë sërish në qendër të vëmendjes. Zgjidhni modele të gjera dhe stilojeni me xhinse të drejta, modele të gjera apo pantallona të shkurtra prej xhinsi.
Pallto e shkurtër
Palltoja këtë sezon vishet në version më të shkurtër. Më e freskët dhe më dinamike se modeli klasik i gjatë, ajo bashkon elegancën me bashkëkohoren dhe përshtatet në mënyrë të përkryer me të gjitha prerjet e xhinseve, me hapje poshtë, me zgjerim të lehtë, të ngushta apo model i lirshëm.
Triko në ngjyrë jeshile fëstëk
Harrojeni jeshilen e errët apo atë smerald, këtë sezon në fokus është jeshilja fëstëk, një nuancë e çelët që gardërobës i jep butësi dhe freski. Zgjidheni për triko me thurje të trashë – rolka, kardigane të gjera dhe kombinojeni me xhins ngjyrë indigo për një pamje të thjeshtë dhe në trend.
/Telegrafi/