Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokuroria Speciale, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A.D., i dyshuar për “krim lufte kundër popullsisë civile”.
Lajmi është konfirmuar për Betimi për Drejtësi nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, si pjesëtar i MUP-it në Ferizaj dhe polic trafiku në rajonin e Kaçanikut, dyshohet se më 9 mars 1999, gjatë një aksioni policor-ushtarak në fshatin Ivajë dhe zonat përreth, ka detyruar banorët shqiptarë të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas janë djegur dhe shkatërruar.
Tutje, bëhet e ditur se 91 burra janë ndarë nga civilët e tjerë dhe janë dërguar në stacionin policor në Kaçanik.
Sipas prokurorisë 13 civilë janë ndaluar, rrahur dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore nga i dyshuari, duke pësuar lëndime të rënda trupore.
Rasti është në procedurë hetimore. /Telegrafi/