Vetëm në 5 ditët e para të hyrjes në funksion të sistemit Safe City dhe ligjeve që pësuan ndryshime, policia ka konfiskuar 21 makina, në territorin e të gjithë shtetit. Nga policia sqarojnë se konfiskimi i makinave bëhet me urdhër të prokurorit publik, ndërsa për konfiskimin vendos gjykata.
“Shërbimet policore e konfiskojnë makinën me udhëzim të prokurorit publik, ndërsa procedura e mëtejshme është në kompetenca të prokurorisë dhe Gjyqit. Makinat konfiskohen në pajtueshmëri me nenet 297, 297-a dhe 300-b nga Kodi Penal. Ju njoftojmë se në periudhën prej 1 shkurtit deri më 5 shkurt, në territorin e të gjithë shtetit, sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë konfiskuar 21 makina”, tha Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.
Konfiskimi i automjetit është parashikuar si pjesë e masave të reja për shkelje serioze në trafik. Konfiskimi bëhet në kombinim me dispozitat e Kodit Penal dhe sanksionet për shkeljet e rënda siç janë drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, nën ndikim të drogës, pa patentë apo për tejkalim ekstrem të shpejtësisë.
Neni 300 b i Kodit Penal“(1) Nën kushtet e përcaktuara me nenin 100-a të këtij ligji, nga kryesi i veprës do të konfiskohet mjeti me të cilin është kryer vepra nga neni 297 paragrafi (1), neni 297-a paragrafët (1) dhe (2) ose nga neni 300, i cili është në pronësi të kryesit, nëse ai në momentin e kryerjes së veprës nuk ka pasur të drejtë të drejtojë mjet motorik”.
Nëse automjeti është në pronësi të një personi të tretë, ai do të konfiskohet, vetëm nëse ai person e ka ditur ose ka qenë i detyruar ta dijë se kryerësi nuk ka pasur të drejtë të drejtojë mjet motorik. Në nenin e njëjtë të kodit penal, sqarohet edhe tejkalimi i shpejtësisë në dhe jashtë vendbanimeve që çojnë në konfiskimin e automjetit.
Neni 300 b i Kodit Penal“Nëse ka drejtuar me shpejtësi që e tejkalon shpejtësinë e lejuar për së paku 70 km/h në vendbanim ose për së paku 90 km/h jashtë vendbanimit, mjeti është në pronësi të kryesit, dhe nëse më parë ka qenë i dënuar për vepër penale kundër sigurisë së komunikacionit publik, të kryer me tejkalim të shpejtësisë së lejuar”.
Në procedurën penale, konfiskimi nuk është dënim automatik, por masë të cilën Gjykata e vendos në mënyrë të veçantë, mbi baza të rrethanave konkrete. Pra, rolin kyç e luan gjykata dhe jo prokuroria dhe policia. /Alsat.mk