Më 17 shkurt 2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Kosova shpalli pavarësinë e saj si shtet sovran dhe demokratik.
Deklarata u lexua nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe u miratua nga deputetët e pranishëm, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë e vendit.
Shpallja e pavarësisë erdhi pas një rruge të gjatë sakrifice dhe përpjekjesh politike e ushtarake. Në themel të kësaj rruge qëndroi lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila, pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, krijoi rrethanat për çlirimin e vendit dhe vendosjen e administrimit ndërkombëtar.
Ligjshmëria e Deklaratës së Pavarësisë u kontestua nga Serbia, e cila iu drejtua Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Më 22 korrik 2010, kjo gjykatë dha opinionin këshillimor se Deklarata e Pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sot, 18 vjet më vonë, përvjetori i Pavarësisë po shënohet në një klimë tjetër politike.
Në Prishtinë janë organizuar aktivitete festive por edhe marsh qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, por në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në paraburgim prej disa vitesh ndodhen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza që ata i kanë mohuar.
Të mërkurën pritet që katërshja të marrë fjalën për t’iu përgjigjur akuzave të ngritura nga Prokuroria.
Ekipi i Telegrafit po qëndron në Hagë për zhvillimet më të fundit të cilat do të raportohen në kohë reale.