Kundër trashëgimisë së pedofilit të ndjerë, Jeffrey Epstein është ngritur një padi e re nga dy gra, të cilat pretendojnë se ai posedonte materiale që tregonin abuzimin e tyre seksual kur ishin fëmijë.
Ato i kërkojnë gjykatës të nisë një program për identifikimin dhe njoftimin e të gjithë personave, fotografitë e paligjshme seksuale të të cilëve mund të gjenden në koleksionin e Epstein, si dhe kërkojnë dëmshpërblim financiar, raporton The Guardian.
Padia është dorëzuar këtë javë në një gjykatë federale në New York. Paditëset, identitetet e të cilave janë mbajtur anonime në dokumente, përshkruhen si viktima të krimeve të Epstein që lidhen me materiale pornografike me fëmijë.
Padia është ngritur kundër ish-avokatit të tij, Darren Indyke, dhe ish-kontabilistit Richard Kahn, të cilët janë paditur si bashkëekzekutues të testamentit të Epstein. Ata, megjithatë, pretendojnë se nuk kishin dijeni për krimet e tij.
Detajet e akuzave
Në padi thuhet se Epstein, për më shumë se dy dekada, posedonte, transportonte, prodhonte dhe shpërndante “pornografi me fëmijë dhe materiale që dokumentonin abuzimin seksual të një numri të madh fëmijësh”.
Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Manhattan, ku po priste gjykimin për trafikim njerëzish me qëllim shfrytëzimin seksual.
Sipas padisë, Epstein kishte siguruar përmes vjedhjes fotografi nudo të paditëses së parë, kur ajo ishte rreth 12 vjeçe, dhe i kishte ruajtur e transportuar ato përtej kufijve shtetërorë.
Për paditësen e dytë thuhet se, “bazuar në informacionet në dispozicion, besohet se Epstein kishte siguruar fotografi eksplicite të saj”.
Në padi thuhet gjithashtu se, që nga vitet 1990, Epstein mbante në një kasafortë në New York një libër me fotografi të modeleve, i cili përmbante imazhe seksuale të fëmijëve.
Sipas padisë, të paktën që nga vitet 2000, ai u kërkonte asistentëve të fotografonin fëmijë të zhveshur, i paguante për fotografitë dhe i përdorte ato për kënaqësinë e tij, e potencialisht edhe për persona të tjerë.
Padia thekson se policia nuk ndërmori veprime, edhe pse kishte marrë raportime se Epstein kishte siguruar fotografi të “Jane Doe” dhe të një tjetër të mituri. Për këtë çështje, sipas padisë, askush nuk u ndoq penalisht.
Në padi shtohet se shumë prej personave që shfaqen në këto materiale nuk janë identifikuar dhe as nuk janë njoftuar përmes programeve zyrtare.
“Shumë prej tyre as nuk e dinë se fotografitë e tyre ekzistojnë”
Margaret Mabie, nga firma ligjore Marsh Law, e cila përfaqëson paditëset, tha se në koleksionin e Epstein janë zbuluar seri të shumta fotografish të njohura, përfshirë edhe fotografi ku shfaqet Amy.
“Bazuar në njohuritë tona, asnjë prej viktimave të përmendura në atë raport, dhe as nga materialet e tjera të gjetura te Epstein, nuk është njoftuar ndonjëherë për këtë”, tha Mabie.
Paditëset e kanë ngritur çështjen në emër të tyre, por edhe në emër të të gjitha viktimave të tjera nën moshën 18-vjeçare, fotografitë e të cilave ndodheshin në posedim të Epstein.
Kjo përfshin materialet e gjetura në pronat dhe pajisjet e tij, si dhe ato të përmendura në memorandumet e FBI-së dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë nga korriku i këtij viti.
Hillary Nappi, nga firma AWK Survivor Advocate Attorneys, tha se qëllimet kryesore janë vendosja e përgjegjësisë dhe identifikimi i viktimave.
“Po kërkojmë një proces real, të mbikëqyrur nga gjykata, për identifikimin dhe njoftimin e çdo viktime që ndodhet në atë koleksion. Shumë prej tyre as nuk e dinë se fotografitë e tyre ekzistojnë në arkivat e tij. Ato meritojnë ta dinë këtë dhe meritojnë mundësinë për të kërkuar drejtësi”, tha Nappi.
Ajo shtoi se kjo çështje paraqet një mundësi edhe për persona të tjerë që gjenden në atë koleksion, por që nuk janë në dijeni për këtë. /Telegrafi/