Galeria e Arteve në Gjilan do të jetë mikpritëse e ekspozitës së Kolonisë Ndërkombëtare të Artit, “Tetori Rozë – Ngjyrat Shërojnë”, e cila organizohet për herë të parë në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Kjo nismë synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, duke vënë në pah rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe të mbështetjes për gratë që përballen me sëmundjen. Përmes gjuhës universale të artit, artistët pjesëmarrës do të përcjellin mesazhe që shkojnë përtej shprehjes artistike, duke e shndërruar krijimtarinë në një mjet të fuqishëm për sensibilizim dhe ndërgjegjësim shoqëror.
Nën moton “Ngjyrat Shërojnë”, kolonia synon të dëshmojë se arti mund të jetë një formë e rëndësishme e komunikimit, që bashkon njerëzit rreth vlerave të humanizmit, solidaritetit dhe shpresës.
Iniciatorë të këtij aktiviteti janë Jalldeze Mustafa dhe Prof. Dr. Hajrush Fazliu, kuratore artisten Anila Hetoja. Hapja e ekspozitës do të mbahet sot, në orën 14:30, në Galerinë e Arteve në Gjilan./Klankosova.tv/.

