Jose Mourinho ka mbetur i impresionuar nga paraqitja e Wesleyt në fitoren dramatike të Real Madridit ndaj Romës me rezultat 4-3, duke pranuar se braziliani i kishte lënë përshtypje edhe më të mira sesa kishte pritur.
Në një intervistë për TNT Sports, trajneri i Real Madridit e lavdëroi mbrojtësin e krahut të Romës, pasi madrilenët përmbysën disavantazhin prej dy golash, nga 3-1 në 4-3, falë tri golave të shënuar në minutat e fundit në “Stadio Olimpico”.
Kjo ishte hera e parë që Mourinho përballej me Romën që nga shkarkimi i tij në janar të vitit 2024.
“Ai ia vështirësoi jetën Viniciusit në fazën sulmuese dhe na shkaktoi probleme edhe kur po mbroheshim”, deklaroi Mourinho.
Vinicius kishte mësuar vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes se ishte dënuar me katër ndeshje moslojë në La Liga. Braziliani u zëvendësua në minutën e 59-të, pak pasi një pasim i pakujdesshëm me thembër i kishte dhënë Donyell Malenit mundësinë për të shënuar golin e dytë të Romës.
“E dija tashmë se ishte një lojtar i mirë, por ishte hera e parë që e shihja duke luajtur në atë pozicion dhe më impresionoi edhe më shumë sesa kisha menduar. Ai mbrohet shumë mirë dhe më pas avancon me shpejtësi të madhe. Wesley është vërtet një lojtar i shkëlqyer”, shtoi trajneri portugez.
Nga ana tjetër, Wesley u shpreh i lumtur për komplimentet që mori nga një trajner me përvojën dhe emrin e Mourinhos.
“Jam i lumtur. Është kënaqësi të marrësh lëvdata nga një trajner si Mourinho”, tha ai për të njëjtin medium.
“Thjesht u luta dhe i thashë vetes: ‘Duhet ta ndal Viniciusin, duhet ta ndal Viniciusin’. Isha i përgatitur dhe jam i kënaqur me paraqitjen time. Kam ende shumë për të përmirësuar, por jam i kënaqur me performancën individuale”, përfundoi braziliani./Telegrafi/

