Mjedisi ku qëndroni gjatë ditës mund t’i dërgojë trurit sinjale tensioni, edhe para se ju ta kuptoni
Shpesh mendojmë se emocionet tona udhëhiqen kryesisht nga mendimet. Kur ndihemi të shqetësuar, të lodhur ose të tensionuar, priremi ta lidhim këtë me atë që po mendojmë. Por, sipas ekspertëve, shqisat tona – ajo që shohim, dëgjojmë, nuhatim dhe ndiejmë – mund të kenë ndikim shumë më të madh në gjendjen emocionale sesa e kuptojmë.
Truri nuk pret gjithmonë që ne ta analizojmë situatën me vetëdije. Qendra e tij e alarmit, amigdala, përpunon sinjalet që vijnë nga shqisat para se pjesa racionale e trurit ta kuptojë plotësisht çfarë po ndodh.
Psikologu Ken Martz shpjegon se truri nuk pret që mendimet tona ta arrijnë situatën përpara se të reagojë ndaj asaj që shqisat po marrin nga mjedisi. Sipas tij, në momentin kur ne e kuptojmë me vetëdije se “diçka nuk është në rregull”, sistemi nervor mund të ketë nisur tashmë përgjigjen ndaj stresit.
Kjo do të thotë se ndriçimi, zhurma, temperatura, aromat, ekranet, rrëmuja vizuale dhe ritmi i ambientit mund të ndikojnë vazhdimisht në nivelin tonë të stresit.
Si ndikojnë shqisat në shëndetin mendor
Çdo shqisë ka rrugën e vet drejt trurit, por disa veprojnë më shpejt se të tjerat. Nuhatja, për shembull, ka lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin limbik, pjesën e trurit që lidhet ngushtë me emocionet dhe kujtesën.
Kjo është arsyeja pse një aromë e caktuar mund t’ju ndryshojë humorin menjëherë. Një parfum i njohur, aroma e kafesë, e shiut, e një qiriu apo e një vendi të fëmijërisë mund të zgjojë ndjenja të forta brenda pak sekondash.
Me fjalë të tjera, ne jo gjithmonë “mendojmë” rrugën drejt ankthit; shpesh e “ndiejmë” atë përmes shqisave.
Kur e kuptoni se sistemi nervor është vazhdimisht duke skanuar mjedisin për sinjale të mundshme rreziku, edhe jeta e përditshme fillon të duket ndryshe. Zyrat e hapura, tingujt e njoftimeve në telefon, ekranet në çdo anë, ndriçimi artificial, zhurma urbane dhe rrjetet sociale janë stimuj që sistemi ynë nervor nuk i përballon gjithmonë lehtë.
Problemi është se mbingarkesa kronike shqisore nuk shfaqet gjithmonë si stres i dukshëm. Ndonjëherë ajo del si irritim i papritur, lodhje pa arsye, nervozë ndaj gjërave të vogla ose ndjesi se “diçka nuk shkon”.
Mund të reagoni ashpër ndaj një komenti të vogël dhe menjëherë të pyesni veten pse u mërzitët aq shumë. Por shpesh nuk është ai moment që ju trazon; është ngarkesa shqisore e grumbulluar gjatë gjithë ditës, pa e kuptuar, transmeton Telegrafi.
Si t’i qetësoni shqisat
Lajmi i mirë është se i njëjti sistem që mbingarkohet mund edhe të qetësohet. Dhe kjo nuk kërkon domosdoshmërisht pushime të gjata apo ndryshime drastike në stilin e jetesës.
Hapi i parë është të zvogëloni stimujt që mund t’i mbingarkojnë shqisat. Për dikë, kjo mund të nënkuptojë të hajë një vakt pa telefon. Për dikë tjetër, të qëndrojë dhjetë minuta në një dhomë të qetë, të fikë njoftimet e panevojshme, të ecë në park ose të vendosë muzikë të butë në sfond.
Qëllimi është i thjeshtë: t’i jepet sistemit nervor një sinjal i qartë se nuk ka rrezik dhe se mund të ulet niveli i alarmit.
Ekspozimi i shkurtër ndaj natyrës është një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë. Edhe një qëndrim i shkurtër në ambient natyror mund të ndihmojë në uljen e tensionit, qetësimin e rrahjeve të zemrës dhe kthimin e trupit drejt një gjendjeje më të qetë.
Një shëtitje e ngadaltë, zhurma e shiut, ajri i freskët, gjelbërimi ose vetëm qëndrimi pranë një dritareje me pamje nga natyra mund të ndikojnë pozitivisht në sistemin nervor.
Ndihmojnë edhe stimuj të tjerë qetësues, si presioni i thellë në trup, lëvizjet ritmike dhe tingujt e butë. Një batanije më e rëndë, një ecje e qetë, frymëmarrja e ngadaltë ose tingulli i ujit mund të krijojnë ndjesi sigurie dhe stabiliteti.
Çfarë të bëni kur ndiheni të mbingarkuar
Kur ndiheni të mbingarkuar dhe keni nevojë të qetësoheni shpejt, një teknikë e thjeshtë është metoda 5-4-3-2-1. Ajo përdor shqisat për ta kthyer vëmendjen te momenti i tanishëm.
Teknika bëhet kështu:
• vëreni 5 gjëra që mund t’i shihni
• prekni ose ndieni 4 gjëra rreth jush
• dëgjoni 3 tinguj
• dalloni 2 aroma
• përqendrohuni te 1 shije në gojë
Ky ushtrim zgjat rreth 90 sekonda dhe mund ta ndihmojë trurin të largohet nga mendimet e përsëritura, shqetësimi dhe ankthi për të ardhmen. Ai e kthen vëmendjen te të dhënat shqisore të momentit të tanishëm.
Herën tjetër kur ndiheni keq pa e ditur saktësisht pse, mos e kërkoni përgjigjen vetëm te mendimet. Shikoni rreth vetes, dëgjoni tingujt, vini re aromat, dritën, temperaturën dhe trupin tuaj.
Ndonjëherë nuk është një mendim që na lodh, por mjedisi që na ka mbingarkuar në heshtje gjatë gjithë ditës.
Nëse ndjenja e ankthit, mbingarkesës ose tensionit përsëritet shpesh dhe ndikon në jetën e përditshme, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor. /Telegrafi/
