Ec Ma Ndryshe ka njoftuar se është evidentuar një rast në një objekt hotelier, ku sipas Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, ndërhyrjet po kryhen pa pëlqimin e institucioneve kompetente.
Sipas njoftimit për media, në një përgjigje zyrtare QRTK-Prizren ka bërë të ditur se punimet po realizohen pa pëlqimin paraprak të këtij institucioni dhe për rastin janë njoftuar Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prizrenit dhe Inspektorati i Trashëgimisë së Kosovës në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), me qëllim të ndërmarrjes së masave të parapara me legjislacionin në fuqi.
Objekti ku po zhvillohen punimet ndodhet brenda Qendrës Historike të Prizrenit, zonë e mbrojtur sipas ligjit, ku çdo ndërhyrje ndërtimore apo restauruese kërkon miratim paraprak nga QRTK-Prizren.
Organizata EC Ma Ndryshe ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, duke bërë thirrje për zbatimin e ligjit dhe shtimin e monitorimit në zonën historike, me qëllim të parandalimit të ndërhyrjeve të paautorizuara.
Megjithatë, organizata ka bërë të ditur se ka dërguar kërkesa për informata edhe në institucione të tjera relevante dhe është në pritje të përgjigjeve zyrtare lidhur me rastin. /Telegrafi/
