Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se mund të ketë vonesa dhe pengesa të përkohshme në qarkullimin e transportit publik, për shkak të protestës së paralajmëruar në kryeqytet.
Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), pritet të mbahet sot në orën 12:00, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Komuna ka bërë të ditur se, për shkak të protestës dhe masave të përkohshme për menaxhimin e qarkullimit në hyrje të kryeqytetit, linjat e transportit publik që kalojnë në këtë pjesë mund të mos funksionojnë sipas orarit të rregullt.
“Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se, për shkak të protestës që po zhvillohet dhe masave të përkohshme të ndërmarra për menaxhimin e qarkullimit në hyrje të kryeqytetit, mund të ketë vonesa dhe pengesa të përkohshme në qarkullimin e transportit publik”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas njoftimit, situata mund të shkaktojë vonesa në linjat e autobusëve që qarkullojnë në këtë pjesë të qytetit.
“Si pasojë e situatës së krijuar, linjat që kalojnë në këtë pjesë të qytetit mund të mos realizohen sipas orarit të rregullt, duke shkaktuar vonesa në qarkullimin e tyre”, thuhet më tej.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe durim deri në normalizimin e qarkullimit.
Ndërkohë, ekipet përkatëse të Komunës kanë njoftuar se po e përcjellin nga afër situatën dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik, sa herë që kushtet e qarkullimit e mundësojnë. /Telegrafi/