Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 35 metra kub dru në komunën e Dragashit, pasi është konstatuar se ato po transportoheshin pa dokumentacionin e nevojshëm përcjellës.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 1 korrik 2026, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Dragash, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
“Gjatë patrullimit të rregullt, policët kanë ndaluar për kontroll një kamion që po qarkullonte në rrugë. Gjatë verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se kamioni transportonte rreth 35 m³ dru të ardhura nga Leposaviqi, pa dokumente përcjellëse”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve, ngasësi i kamionit, së bashku me automjetin dhe ngarkesën, është ndaluar, ndërsa për rastin është njoftuar Agjencia Pyjore e Kosovës.
“Drutë janë sekuestruar dhe ndaj personit përgjegjës do të ndërmerren masat ligjore përkatëse”, bëhet e ditur në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke përfshirë edhe mbrojtjen e pyjeve dhe ambientit.
“Këto veprime përfshijnë edhe mbrojtjen e ambientit dhe pyjeve, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin dhe natyrën”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/
