Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vijuar reagimet e shumta nga figura publike në Kosovë dhe diasporë.
Një prej reagimeve që ka tërhequr vëmendje është ai i ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka rishpërndarë në InstaStory një fotografi të këngëtares shqiptare Bleona Qereti.
Në fotografinë e publikuar nga Qereti, artistja shfaqet e veshur me një bluzë me mbishkrimin “I love Hashim Thaçi”, duke shprehur mbështetjen e saj për ish-presidentin e Kosovës.
Foto: Richard Grenell/InstaStory
Fotografia e Bleonës është rishpërndarë nga Grenell në llogarinë e tij në Instagram, në një kohë kur vendimi i Gjykatës Speciale ka nxitur reagime të shumta publike.
Qereti, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shprehur vazhdimisht në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit të tyre në Hagë. Edhe pas aktgjykimit, ajo ka vazhduar të publikojë mesazhe në mbështetje të Hashim Thaçit dhe Kosovës.
Në aktgjykimin e shpallur në Hagë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Rishpërndarja e fotografisë së Bleona Qeretit nga Grenell ka marrë vëmendje pikërisht në këtë klimë reagimesh, duke bërë bashkë një prej artisteve shqiptare që ka shprehur publikisht mbështetjen për Thaçin dhe një ish-zyrtar amerikan që ka pasur rol të drejtpërdrejtë në dialogun Kosovë-Serbi dhe që ka reaguar edhe më parë për procesin në Hagë. /Telegrafi/