Pas më shumë se pesë orësh operacion kërkim-shpëtimi, rreth ores 23-30 min është bërë e mundur nxjerrja e turistit 30-vjeçar nga Polonia, i cili kishte mbetur i bllokuar në zonën e Kanionit të Gjipesë.
Në operacion u angazhuan forcat e Policisë së Shtetit, Delta Force, shërbimi zjarrfikës, si edhe alpinistë të specializuar, pasi terreni tepër i vështirë e bëri ndërhyrjen jashtëzakonisht të komplikuar.
Sipas informacioneve, 30-vjeçari, i cili ndodhej së bashku me të fejuarën e tij, kishte rënë në një greminë, duke e bërë të pamundur nxjerrjen e tij pa ndërhyrjen e ekipeve të specializuara.
Turisti ka pësuar dëmtime të rënda, kryesisht në pjesën e brinjëve dhe në trup. Për shkak të relievit të vështirë, helikopteri nuk ka mundur të afrohej dhe të realizonte evakuimin nga ajri.
Si pasojë, i plagosuri u transportua me barelë nga efektivët e Policisë së Shtetit, Delta Force dhe ekipet e shpëtimit deri në një zonë të aksesueshme, ku më pas u dërgua drejt spitalit.
Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. /Euronews.al/
