Përvoja si refugjat, rolet në produksionet amerikane dhe sakrificat e karrierës zbulojnë anën njerëzore të rrugëtimit të një aktori që, mes suksesit dhe sfidave të Hollivudit, nuk i ka humbur kurrë lidhjet me vendlindjen
Nga rrugët e Prishtinës, ku ëndrrat për kinemanë dukeshin dikur pothuajse të paarritshme, deri te studiot e mëdha të Los Anxhelosit, rrugëtimi i Arbër Mehmetit është një histori përkushtimi, qëndrese dhe ëndrrash që nuk janë shuar përballë vështirësive. Lufta, largimi nga Kosova dhe përballja me një industri ku talenti nuk garanton suksesin kanë lënë gjurmë në jetën e tij, duke ndikuar jo vetëm në mënyrën se si e sheh botën, por edhe në thellësinë njerëzore që u jep personazheve që interpreton.
Me role në produksione të njohura amerikane, si NCIS, Shameless, Counterpart dhe For All Mankind, Mehmeti ka ndërtuar karrierën e tij në një nga industritë më konkurruese të filmit. Përvojën e fituar ndër vite në Hollivud ai e ka sjellë edhe në Prishtinë, ku përmes shkollës së aktrimit Hollywood School ua përcjell njohuritë dhe përvojën e tij brezave të rinj.
Në një intervistë për Telegrafin, Arbër Mehmeti rrëfen emocionin që ende e shoqëron përpara kamerës, rolet që shpesh ia përcakton fizionomia, refuzimet që mbeten larg syve të publikut dhe sakrificat që nuk shënohen në biografitë e aktorëve. Mes kujtimeve të luftës, përvojave në Hollivud dhe dashurisë për vendlindjen, ai zbulon edhe një dimension më intim të jetës së tij: marrëdhënien me Prishtinën dhe Los Anxhelosin, dy qytete që, ndonëse i ndan një oqean, vazhdojnë të jetojnë bashkë brenda tij.
Arbër, rruga juaj nuk fillon në Los Anxhelos, por në Prishtinë, dhe mes këtyre dy qyteteve qëndrojnë lufta, largimi, studimet dhe një jetë e tërë artistike. Kur hyni sot në një studio të madhe amerikane, sa nga ai djalë që dikur ëndërronte në Prishtinë vazhdon të jetojë ende brenda jush?
Ai djalë është ende aty. Ndoshta sot ka më shumë përvojë dhe i njeh më mirë vështirësitë e kësaj industrie, por emocionin nuk e ka humbur. Sa herë hyj në një set filmi në një studio të madhe, një pjesë e imja ende mendon për Prishtinën, për Bllokun e Parë dhe për ëndrrat që atëherë dukeshin pothuajse të pamundura. Përvoja më ka dhënë siguri, por ai djalë më kujton të mos e marr asnjë mundësi si të mirëqenë.
Sot ju shohim në For All Mankind, pas NCIS dhe një vargu produksionesh të njohura amerikane. Pas kaq vitesh në një industri ku asgjë nuk dhurohet, a e ka ende të njëjtën peshë telefonata: “Roli është juaji”? Në For All Mankind interpretoni një komandant rus. Çfarë kërkuat pas uniformës së tij dhe çfarë zbuluat te personazhi që nuk ishte shkruar në skenar?
Po, ajo telefonatë, ai email ose mesazh vazhdon ta ketë peshën e vet. Ndoshta sot e përjetoj më qetë, por gëzimi dhe mirënjohja janë të njëjta, sepse e di sa punë dhe sa refuzime qëndrojnë pas një “po”-je.
Te komandanti rus nuk kërkova të luaja thjesht uniformën apo autoritetin. Kërkova njeriun që mban mbi vete përgjegjësi, presion dhe frikë, por që nuk ka luksin t’i tregojë ato. U përpoqa ta imagjinoja jetën e tij jashtë skenarit: çfarë kishte humbur, çfarë mbronte dhe çfarë e mbante zgjuar natën. Pikërisht aty filloi të bëhej njeri dhe jo vetëm funksion i historisë.
Fizionomia juaj ju ka çuar shpesh drejt roleve të rusëve apo evropianëve lindorë. A ka pasur një çast kur keni menduar: “Hollivudi po e sheh fytyrën time, por ende nuk e ka parë plotësisht aktorin pas saj”? Dhe si i shpëton një aktor tipizimit pa i refuzuar mundësitë që pikërisht ai tipizim ia hap?
Po, e kam menduar. Kjo industri shpesh të njeh fillimisht përmes pamjes, theksit apo prejardhjes. Mund të jetë kufizim, por mund të jetë edhe dera e parë që hapet. Unë jam përpjekur të mos e refuzoj atë derë, por të mos mbetem brenda vetëm një dhome.
Tipizimit nuk i shpëton duke mohuar atë që je. I shpëton duke sjellë thellësi dhe ndryshim në secilin personazh, edhe kur në letër duken të ngjashëm. Detyra ime është që pas çdo etikete, “rus”, “evropianolindor” apo “i huaj”, ta bëj të dukshëm njeriun.
Përtej roleve dhe uniformave, aktori kërkon njeriun
Nga NCIS te For All Mankind, nga Shameless te Counterpart, Jane the Virgin, Mom, Santa Clarita Diet e The Rookie: Feds, pas vetes keni tashmë një galeri personazhesh. Sikur të mund të ruanit vetëm një skenë nga gjithë kjo rrugë, jo domosdoshmërisht më të famshmen, cilën do të zgjidhnit dhe çfarë ka mbetur prej saj brenda jush?
Nuk do të mund të zgjidhja vetëm një skenë. Secili rol dhe secila skenë kanë pasur momentet e tyre të veçanta dhe më kanë mësuar diçka. Disa më kanë sfiduar më shumë, disa më kanë dhënë një lloj tjetër kënaqësie, por të gjitha kanë një vend të dashur në përvojën time. Secila është pjesë e rrugëtimit që më ka formuar si aktor.
Pak para fjalës “Action!” ekziston një sekondë e çuditshme: seti hesht, kamera ende nuk regjistron dhe gjithçka duket sikur pret. Çfarë ndodh brenda jush në atë çast? Jeni ende Arbër Mehmeti apo personazhi tashmë jua ka marrë vendin? Dhe, me përvojën e sotme, çfarë është më e vështirë: të flasësh bindshëm apo të heshtësh bindshëm?
Në atë çast përpiqem të mos prodhoj asgjë me forcë. Marr frymë, dëgjoj dhe ia lë vetes hapësirën të reagojë. Arbëri është ende aty, sepse personazhi nuk vjen për ta larguar aktorin. Ai ndërtohet përmes trupit, imagjinatës dhe përvojave të aktorit.
Me përvojën e sotme, besoj se është më e vështirë të heshtësh bindshëm. Fjalët mund të mësohen dhe të kontrollohen. Në heshtje nuk ke ku të fshihesh. Kamera e sheh nëse po mendon, nëse po dëgjon dhe nëse diçka po ndodh vërtet brenda teje.
Nga larg, Hollivudi duket si tapet i kuq; nga afër ka edhe pritje, audicione, heshtje dhe shumë “jo” përpara një “po”-je. Mes dy projekteve, kur dritat e studiove fiken dhe aktori mbetet sërish vetëm me veten, si ushqehet durimi? Cili refuzim ju ka dhembur më shumë dhe cila është sakrifica më e heshtur e kësaj rruge, ajo që nuk figuron as në CV, as në IMDb, as në fotografitë e suksesit?
Durimi ushqehet duke mos e lidhur vlerën tënde si njeri me rolin e radhës. Duhet të vazhdosh të punosh, të mësosh dhe të ndërtosh një jetë edhe jashtë industrisë. Përndryshe, çdo refuzim fillon të duket si gjykim personal.
Refuzimet më të dhimbshme kanë qenë ato kur kam qenë shumë afër një roli, kur gjithçka dukej sikur po shkonte në drejtimin e duhur dhe në fund përgjigjja ishte “jo”, ose, siç ndodh shumicën e kohës, thjesht nuk dëgjon më asgjë nga ekipi i përzgjedhjes së aktorëve.
Por sakrifica më e heshtur është koha: vitet e pasigurisë, momentet familjare që i humb dhe jeta që vazhdon në vendlindje, ndërsa ti je mijëra kilometra larg. Ato nuk shkruhen në IMDb, por janë pjesë e çdo arritjeje.
Akademia ju dha bazën: fillimisht teatri në Graceland University, më pas studimet MFA në California State University, Long Beach. Çfarë ju mësoi shkolla që vazhdoni ta mbani me vete edhe sot, dhe çfarë ju është dashur ta harroni sapo u përballët me realitetin e industrisë?
Shkolla më mësoi disiplinën, respektin për tekstin, përgatitjen dhe përgjegjësinë ndaj partnerit dhe publikut. Më mësoi se talenti pa punë nuk mjafton. Këtë e mbaj me vete edhe sot, si aktor dhe si mësues.
Ajo që më është dashur ta harroj është ideja se ekziston vetëm një mënyrë e drejtë për të luajtur. Industria kërkon fleksibilitet. Duhet të dish të hysh në një set, të kuptosh shpejt çfarë kërkohet dhe të japësh diçka të vërtetë pa e komplikuar procesin.
Prishtina dhe Los Anxhelosi, dy qytete që jetojnë brenda një njeriu
Në romanin Giovanni’s Room, James Baldwin shkruan se “ndoshta shtëpia nuk është një vend, por thjesht një gjendje e pakthyeshme”. Ju u larguat nga Prishtina dhe ndërtuat një jetë përtej oqeanit. Pas gjithë këtyre viteve, ku është “shtëpia” për Arbër Mehmetin: aty ku ka lindur, aty ku ka ndërtuar jetën, apo diku në atë hapësirë të padukshme mes Prishtinës dhe Los Anxhelosit?
Prishtina është shtëpia ime në një mënyrë që nuk mund të zëvendësohet. Është vendi ku janë rrënjët, gjuha, familja dhe kujtimet e para. Los Anxhelosi, ndërkohë, është vendi ku jam formuar profesionalisht dhe ku kam ndërtuar një pjesë të madhe të jetës sime madhore.
Ndoshta shtëpia ime e plotë gjendet pikërisht mes këtyre dy qyteteve. Për një kohë mendoja se duhej të zgjidhja njërin. Sot e kuptoj se të dyja jetojnë brenda meje dhe se nuk kam nevojë ta ndaj veten përgjysmë.
Disa përvoja nuk mësohen në asnjë akademi aktrimi. Ju keni kaluar luftën, largimin dhe jetën e refugjatit. A ka emocione që sot mund t’i sillni para kamerës pikërisht sepse dikur nuk ju është dashur t’i imagjinoni, por t’i jetoni? Dhe, pas gjithë personazheve që keni veshur mbi vete, çfarë keni zbuluar për Arbër Mehmetin që nuk e dinit kur ishit djalë i ri në Prishtinë?
Po, ka emocione që trupi i mban mend edhe kur mendja përpiqet t’i vendosë në të kaluarën. Frika, humbja, pasiguria dhe ndjenja e të qenit i huaj nuk kanë nevojë gjithmonë të imagjinohen. Por përpiqem të mos e përdor dhimbjen si një truk aktrimi. E respektoj dhe e lejoj të më japë mirëkuptim më të thellë për personazhin.
Për veten kam zbuluar se jam më i qëndrueshëm sesa kam menduar. Kam zbuluar gjithashtu se largimi nuk ta zvogëlon dashurinë për vendin tënd. Ndonjëherë e bën edhe më të qartë se kush je dhe çfarë dëshiron të ruash.
Të largohemi për një çast nga sheshxhirimi. Sikur sonte të mund të uleshit për kafe në Prishtinë me tre njerëz nga bota e filmit, të gjallë ose jo, kë do të ftonit dhe për çfarë do të donit të bisedonit me ta?
Do të ftoja Bekim Fehmiun, Marlon Brando dhe Meryl Streep. Me Bekim Fehmiun do të bisedoja për rrugëtimin e një aktori nga Kosova drejt një skene ndërkombëtare dhe për çmimin personal të asaj rruge. Me Brandon do të doja të flisja për të vërtetën dhe thjeshtësinë në aktrim. Me Meryl Streep do të bisedoja për jetëgjatësinë artistike, disiplinën dhe aftësinë për të mbetur gjithmonë kureshtar. Besoj se do të ishte një kafe shumë e gjatë.
Pas kamerave dhe emrave të mëdhenj qëndrojnë, në fund, njerëz të zakonshëm me pasiguritë, humorin dhe dobësitë e tyre. Nga aktorët, regjisorët apo profesionistët që keni njohur në këtë industri, cili takim jua ka rrëzuar më shumë mitin e Hollivudit?
Nuk do ta veçoja vetëm një takim. Kam pasur fatin të luaj përkrah aktorëve të mëdhenj, mes tyre edhe fitues të çmimeve Oscar, Golden Globe dhe Emmy. Por, përtej talentit dhe arritjeve të tyre, të gjithë kanë qenë njerëz të jashtëzakonshëm, profesionistë, të sjellshëm dhe shumë të thjeshtë në komunikim.
Përvojat që kam pasur duke punuar me ta ma kanë rrëzuar atë mitin se yjet e Hollivudit janë të paprekshëm dhe të paarritshëm. Më kanë treguar se një emër i madh nuk të bën domosdoshmërisht të largët. Shpesh, njerëzit më të suksesshëm janë edhe ata që e respektojnë më së shumti punën dhe njerëzit përreth tyre.
Nga përvoja në Hollivud te Hollywood School në Prishtinë
Pas dy dekadash në Los Anxhelos, jeni kthyer në Prishtinë dhe keni hapur Hollywood School, ku punoni me fëmijë, adoleshentë dhe të rritur. Çfarë ju shtyu ta sillnit përvojën tuaj në Kosovë dhe çfarë dëshironi t’u mësoni studentëve jo vetëm për aktrimin, por edhe për realitetin e kësaj industrie?
Pas shumë vitesh studimi, pune dhe mësimdhënieje në Los Anxhelos, ndjeva se kishte ardhur koha ta sillja atë përvojë në vendin tim. Hollywood School lindi nga dëshira për t’u ofruar fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve në Kosovë një trajnim serioz, me standarde profesionale, por edhe një hapësirë ku mund të jenë të lirë, të guximshëm dhe krijues.
Nuk dua t’u shes studentëve vetëm ëndrrën e Hollivudit. Dua t’u mësoj çfarë kërkon vërtet aktrimi dhe kjo industri: disiplinë, përgatitje, durim, aftësi për të dëgjuar dhe kurajë për të vazhduar edhe pas refuzimit. Edhe nëse nuk bëhen të gjithë aktorë, besoj se ky trajnim mund t’i bëjë më të sigurt, më të pranishëm dhe më të aftë për ta shprehur veten në çdo fushë të jetës.
Le ta imagjinojmë për një çast se Prishtina dhe Los Anxhelosi janë dy personazhe filmi. Çfarë karakteri do t’i jepnit secilit dhe me cilin prej tyre do të ishte më e vështirë të luanit një skenë?
Prishtina do të ishte dashuria ime e përhershme: një personazh me shpirt, i ngrohtë, i drejtpërdrejtë dhe me karakter të veçantë. Pavarësisht se si mund ta shohin të tjerët dhe me gjithë papërsosmëritë e saj, për mua është e pazëvendësueshme.
Los Anxhelosi do të ishte një personazh i bukur dhe kompleks, plot ëndrra, mundësi dhe kundërthënie. Të tërheq, por kërkon kohë dhe durim që ta kuptosh. Ndoshta do të ishte më e vështirë të luaja një skenë me Los Anxhelosin, sepse Prishtinën e njoh me zemër, ndërsa Los Anxhelosi gjithmonë ka një shtresë tjetër për ta zbuluar.
Kujtesa si përgjegjësi dhe liria që nuk duhet marrë si e mirëqenë
Në The Book of Laughter and Forgetting, Milan Kundera shkruan se “lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës”. Ju i përkisni një brezi që e ka përjetuar luftën dhe largimin, e më pas është dashur të ndërtojë një jetë tjetër. Me kalimin e viteve dhe me mijëra kilometra larg Kosovës, kujtesa zbehet apo bëhet edhe më këmbëngulëse?
Koha mund t’i zbehë disa hollësi, por jo thelbin. Në shumë raste, kujtesa bëhet edhe më këmbëngulëse, sepse largësia të detyron të kuptosh çfarë nuk dëshiron të humbasësh.
Për mua, kujtesa nuk duhet të jetë një vend ku jetojmë përgjithmonë, por një përgjegjësi. Duhet ta tregojmë të vërtetën për atë që ka ndodhur, sidomos për brezat që nuk e kanë përjetuar. Jo për t’i mbajtur të lidhur me dhimbjen, por që liria dhe paqja të mos shihen kurrë si diçka e garantuar.
Kur fiket kamera, kush është Arbëri: njeriu që kërkon qetësinë apo ai që e mbledh shoqërinë rreth vetes? Dhe kur Prishtina ju mungon, çfarë vjen e para në kujtesë: njerëzit, një vend, një shije, një erë, zhurma e qytetit apo diçka që nuk përkthehet dot në fjalë?
Jam pak nga të dy. E dua shoqërinë, bisedat e gjata dhe njerëzit rreth vetes, por kam nevojë edhe për qetësi që të kthehem te vetja. Pas një dite në set apo në klasë, heshtja mund të jetë po aq e rëndësishme sa shoqëria.
Kur më mungon Prishtina, të parët vijnë njerëzit. Pastaj vijnë zërat, kafetë, rrugët, humori dhe ajo ndjenjë afërsie që nuk ka nevojë të shpjegohet. Është një përzierje që vështirë përkthehet në fjalë, por që e njeh menjëherë sapo kthehesh.
Sikur gjithë rrugëtimi juaj deri këtu, fëmijëria në Prishtinë, lufta, largimi, Amerika, refuzimet, rolet dhe studiot e Los Anxhelosit, të ishte një film që ende po xhirohet, çfarë titulli do t’i vinit dhe cilën skenë do të donit ta xhironit më pas?
Do ta quaja “Ende në rrugë”, sepse nuk e shoh veten sikur kam arritur në një pikë përfundimtare. Çdo rol, çdo klasë dhe çdo kthim në Prishtinë ka hapur një kapitull tjetër.
Skena që do të doja ta xhiroja më pas do të ishte në Kosovë: një produksion i madh ndërkombëtar, me artistë tanë përpara dhe prapa kamerës, ku përvoja që kam fituar jashtë lidhet me talentin që ekziston këtu. Do të ishte një skenë në të cilën kthimi nuk do të nënkuptonte fundin e rrugëtimit, por fillimin e diçkaje më të madhe. /Telegrafi/