Njohësi i çështjeve ekonomike, Astrit Panxha, ka vlerësuar se bizneset nga Kosova kanë zgjeruar investimet e tyre në Shqipëri, duke kaluar përtej sektorit të patundshmërive.
Në një postim në Facebook, Panxha ka shkruar se gjatë vitit 2025 bizneset nga Kosova investuan 186.4 milionë euro në Shqipëri, duke e renditur Kosovën, sipas tij, ndër investitorët më të mëdhenj në vend.
Sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë dhe të cituara në burime ekonomike, Holanda ishte burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në Shqipëri gjatë vitit 2025 me 201.9 milionë euro, pasuar nga Italia me 186.9 milionë dhe Kosova me 186.4 milionë euro.
Panxha ka përmendur disa prej investimeve të bizneseve nga Kosova në tregun shqiptar, shkruan Telegrafi.
“Viva Fresh Group e bleu SPAR Albania për 36.4 milionë euro, pastaj rrjetin Eco Market dhe gjashtë markete të KMY-së”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe investimin e Albi Group, i cili, sipas tij, “e bleu Fashion Group Albania për rreth 7.6 milionë euro, bashkë me operacionet e Mango, Geox, Parfois, Carpisa dhe Aldo”.
Në listën e tij është edhe KAN Group, për të cilin Panxha shkruan se “e mori operimin e KFC-së në Shqipëri dhe po zgjerohet në krejt rajonin”.
Panxha ka përmendur edhe projektin e Dukagjini Group në bregdetin shqiptar.
“Dukagjini Group po investon rreth 80 milionë euro në Dukagjini Resort, te Rana e Hedhun”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, në sektorin e mediave dhe telekomunikacionit, ai ka veçuar blerjen e Tring nga Vertex Holding, kompani të cilën e lidh me Artmotion dhe Devolli Corporation.
“Vertex Holding, kompani e lidhun me Artmotion dhe Devolli Corporation, e bleu Tring-un, një prej operatorëve kryesorë të televizionit dhe internetit”, ka shkruar Panxha.
Sipas tij, këto zhvillime tregojnë se kompanitë kosovare po zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregjet rajonale.
“Këto kompani nuk po ikin prej Kosovës. Në Kosovë janë rritë dhe forcu; tash po bahen kompani rajonale”, ka shkruar Panxha.
“E Shqipëria është hapi i parë ma i natyrshëm”, ka shtuar ai. /Telegrafi/