Pas raportimit për gjetjen e tre peshqve të llojit ballgjër të ngordhur në Liqenin e Badovcit, KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se analizat e ujit të realizuara më 21 shtator kanë rezultuar brenda standardeve për ujë të pijshëm.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e cila tha se, bazuar në analizat e realizuara, uji nga Badovci është i pijshëm dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor.
“Bazuar në analizat e realizuara, uji nga Badoci është i pijshëm dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor( si në ujin e trajtuar po ashtu edhe në ujin e patrajtuar në liqe)”, ka thënë Mjeku.
Sipas saj, analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit realizohen rregullisht nga laboratori i akredituar i KRU “Prishtina”, me qëllim të monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së ujit.
“Analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit realizohen në mënyrë të rregullt nga laboratori i akredituar i KRU “Prishtina”, me qëllim të monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe garantimit të sigurisë për konsumatorët”, ka deklaruar Mjeku.
Ajo ka bërë të ditur se analizat fiziko-kimike të ujit të patrajtuar dhe atij të trajtuar, të datës 21 shtator 2026, kanë rezultuar brenda standardeve për ujë të pijshëm.
“Analizat fiziko-kimike te ujit patrajtuar (Aeratorit) dhe ujit të trajtuar të datës 21.09.2026 janë brenda standardit për ujë të pijshëm”, ka thënë Mjeku.
Megjithatë, në përgjigjen e saj për Telegrafin, KRU “Prishtina” nuk ka dhënë ndonjë vlerësim lidhur me shkakun e ngordhjes së tre peshqve dhe nuk ka deklaruar nëse ekziston ndonjë lidhje mes këtij rasti dhe cilësisë së ujit.
Rasti ishte bërë publik nga Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”, e cila kishte njoftuar se më 19 shtator kishte identifikuar tre peshq të ngordhur në Liqenin e Badovcit.
Sipas shoqatës, dy prej peshqve vlerësoheshin të kishin rreth 40 kilogramë, ndërsa i treti mbi 50 kilogramë. Shoqata kishte ngritur shqetësime edhe për faktin se peshqit e këtij lloji, sipas saj, zakonisht qëndrojnë në ujëra më të thella.
Shkaqet e ngordhjes së peshqve, ndërkaq, ende nuk janë përcaktuar. /Telegrafi/