Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se vendimi nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë.
Në deklaratën e saj, MPJ-ja kroate ka vlerësuar se aktgjykimi nuk ndryshon faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Përgjegjësia individuale e një individi nuk mund të jetë bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ministria kroate ka theksuar gjithashtu se krimet dhe represioni i regjimit të Millosheviqit ndaj popullsisë së Kosovës nuk duhet të relativizohen apo të vihen në pikëpyetje.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Në total, katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vjet burgim. /Telegrafi/