Pas realizimit të projektit të sistemit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të vazhdojë investimet në infrastrukturën sportive të regjionit të Gjilanit me rregullimin e tri terreneve të reja.
Sipas njoftimit të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit (LRFGJ), njëri nga projektet kryesore parasheh vendosjen e tapetit të ri sintetik të cilësisë më të lartë në fushën aktuale sintetike, ku ndeshjet i zhvillojnë FC Drita, SC Gjilani, si dhe klubet e shkollat e futbollit të këtij regjioni, transmeton IndeksOnline.
Ky investim do të realizohet pas përfundimit të kampionatit, në koordinim të plotë me klubet dhe Komunën e Gjilanit.
Investimi i dytë do të shtrihet në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, ku do të vendoset tapet i ri në fushën sportive të dedikuar nga Komuna e Gjilanit për SC Gjilanin. Ndërkaq, në kampin stërvitor të FC Dritës do të vendoset tapet me bar natyral, me synim krijimin e kushteve optimale për stërvitje dhe përgatitjen e futbollistëve.
Përveç këtyre tri projekteve, në planifikim është edhe ndërtimi i disa fushave të vogla sportive nëpër lagje dhe pranë shkollave të mëdha të regjionit, lokacionet e të cilave do të përcaktohen në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit.
Nga LRFGJ-ja theksojnë se këto investime dëshmojnë përkushtimin e FFK-së dhe bashkëpunimin institucional për avancimin e futbollit në këtë regjion, duke vlerësuar se krahas FFK-së si donatore, një rol dhe kontribut të madh në sjelljen dhe realizimin e këtyre projekteve në Gjilan ka dhënë përfaqësuesi i këtij qyteti në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, Armend Misini. /IndeksOnline/

