Manchester United ka shënuar fitore të rëndësishme në javën e 34-t të Ligës Premier, duke e mposhtur Brentfordin me rezultat 2-1.
‘Djajtë e Kuq’ e nisi ndeshjen me intensitet dhe rrezikoi që në minutat e para me Amad Diallo, por pa sukses.
Goli i epërsisë erdhi në minutën e 11-të pas një goditjeje nga këndi. Harry Maguire fitoi duelin në ajër dhe topi përfundoi te Casemiro, i cili e shtyu në rrjetë për 1-0.
Brentford u përpoq të reagojë dhe pati momente të mira, sidomos me Michael Kayode, por portieri i United reagoi në kohë. Nga ana tjetër, Maguire ishte sërish pranë golit, por u ndal nga një pritje vendimtare e portierit Caoimhin Kelleher.
Në minutën e 43-të, United dyfishoi rezultatin. Bruno Fernandes shërbeu bukur për Benjamin Sesko, i cili nga brenda zonës nuk fali duke e dërguar topin në rrjetë për 2-0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Goli që e rihapi takimin erdhi në minutën e 87-të, kur Reiss Nelson asistoi për Mathias Jensen, i cili realizoi një supergol nga distanca, me topin që u përplas në shtyllën e majtë dhe përfundoi në rrjetë për 2-1.
Në përfundim, Manchester United arriti një fitore të rëndësishme në garën për zonën e Ligës së Kampionëve, ndërsa Brentford, pavarësisht reagimit në fund, mbeti pa pikë dhe vazhdon sezonin në mesin e tabelës.
Me këto tri pikë, skuadra e Michael Carrick ngjitet në 61 pikë në vendin e tretë, ndërsa Brentford mbetet në vendin e nëntë me 48 pikë. /Telegrafi/