Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas pranimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si të vonuar dhe të dëmshëm për luftën kundër korrupsionit.
Përmes një postimi në Facebook, Sallahu ka bërë të ditur se aktgjykimi është pranuar pas një viti e 28 ditësh, duke tejkaluar, sipas tij, afatet ligjore të parapara. Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje procedurale gjatë miratimit të projektligjit në Kuvend, për çka ligji duhet të kthehet sërish për rishqyrtim dhe miratim.
Sallahu e ka cilësuar të papranueshme mbajtjen e një ligji kaq të rëndësishëm për më shumë se një vit për arsye procedurale, duke e quajtur këtë veprim joligjor, joprofesional dhe joetik.
Sipas tij, vonesa të tilla cenojnë kompetencat kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në procesin e miratimit të ligjeve dhe dëmtojnë përpjekjet institucionale për luftimin e krimit dhe korrupsionit, veçanërisht të zyrtarëve publikë.
Megjithatë, ministri në detyrë i Drejtësisë ka shprehur bindjen se, pavarësisht pengesave, procesi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të nisë gjatë këtij viti./Telegrafi/