Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, sot në një konferencë për media tha se kanë marr dy vendime të rëndësishme që kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktika e padrejta tregtare nga Serbia.
Ajo theksoi se të enjten ka marr vendim për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia.
Sipas saj, ku vendim është rezultat i ankesave të paraqitur nga kompanitë prodhuese vendore të farës së grurit, të cilat kanë ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime dumping, duke dëmtuar prodhimin vendor.
Kusari-Lila tutje bëri të ditur se është marrë edhe vendim për kufizim sasior të importeve të aluminit nga Serbia.
“Kam marrë sot vendim për të përcjellë në qeveri, i cili ka të bëjë me vendosjen e kuotës sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, masa parasheh kufizim të importeve dhe tarifa shtesë për sasitë që tejkalojnë kuotën e përcaktuar.
Ministrja në detyrë theksoi më tej se këto dy vendime kanë të bëjnë me vendosjen e masave anti-dumping janë të bazuar në analiza statistikore dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e plotë në fuqi. /Telegrafi/
