Ministrja në detyrë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Kosova ka siguruar 44 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian për projekte në fushën e mjedisit dhe klimës.
Sipas Pacollit, kjo mbështetje është pjesë e një pakete financiare prej 206.4 milionë eurosh nga BE-ja, e cila përfshin 180.5 milionë euro nga programet IPA për periudhën 2026-2027 dhe 25.9 milionë euro nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ajo ka bërë të ditur se fondet e dedikuara për mjedisin do të orientohen në zhvillimin e qëndrueshëm, menaxhimin e integruar të mbeturinave, si dhe në projekte për mbrojtjen e lumenjve dhe menaxhimin e rrezikut nga vërshimet.
Pacolli ka vlerësuar se reformat dhe projektet e ndërmarra nga institucionet kosovare në fushën e mjedisit janë vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen.
“Këto investime do të përkthehen në zhvillim të pastër dhe të qëndrueshëm për të gjithë vendin tonë”, ka deklaruar ministrja në detyrë e MMPHI-së. /Telegrafi/
