Ylli i Vaduzit Lutfi Dalipi thotë se është kontaktuar nga Kosova dhe Shqipëria, megjithatë aktualisht ka zgjedhur të luajë për grupmoshat U21 të Zvicrës.
Futbollisti me prejardhje nga Presheva është talenti që ka fituar vëmendjen e të gjithëve në Zvicër, falë paraqitjeve të shkëlqyera për Vaduzin.
Me tre gola dhe shtatë asistime, Dalipi ka konfirmuar se kurrë nuk e ka menduar se do të bënte këso paraqitje kur u huazua te ekipi zviceran nga Young Boys.
“Nëse do të kisha parashikuar këtë para sezonit, nuk do ta besoja. Është e pabesueshme. Familja ime gjithnjë është mbrapa meje, më shtyjnë përpara dhe gjithnjë po vijnë në secilën ndeshje”.
“Kjo ishte rruga perfekte. U paraqita mirë hap pas hapi, duke shënuar gola dhe dhuruar asistime”.
Dalipi ndër të tjera konfirmoi se tashmë është kontaktuar nga Kosova dhe Shqipëria, por ka vendosur të rritet ende tek Zvicra U21 para se të vendosë përfundimisht se kë të zgjedhë.
“Shqipëria dhe Kosova më kanë kontaktuar. Objektivi aktual është të luajë për U21-shat e Zvicrës, pas kësaj do të shohim”.
“Dua të paraqitem mirë për Zvicrën U21. Jam ende i ri. Nuk mendoj se jam lojtari më i mirë në Zvicër vetëm sepse e bëra debutimin. Duhet të jem i qetë”, përfundoi ai për “20min”./Telegrafi/