Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një shtetas gjerman, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës Federale të Gjermanisë për veprën penale të trafikimit të paligjshëm të substancave narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht Sektori FAST, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative.
I arrestuari, me inicialet F.R., kërkohej përmes INTERPOL-it për veprën penale “Trafikim i paligjshëm i substancave narkotike”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Gjermanisë.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti po trajtohet nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me autoritetet kompetente të drejtësisë.
