Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që institucionet e vendit të nisin menjëherë angazhimin për ta vendosur kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në NATO në agjendën e samitit të ardhshëm të Aleancës, i cili pritet të mbahet në Shqipëri.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioritet strategjik i shtetit.
“Kosova duhet të veprojë menjëherë që në samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri të diskutohet kandidatura e saj për anëtarësim. Edhe pse koha është e shkurtër, me punë serioze ky synim është i arritshëm”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu ata që, sipas tij, nuk e mbështesin këtë objektiv.
“Kush nuk e mbështet këtë objektiv strategjik të Kosovës është ose shkurtpamës, ose nuk e kupton përgjegjësinë e postit që mban”, ka theksuar ish-kryeministri.
Haradinaj vazhdimisht ka kërkuar që anëtarësimi i Kosovës në NATO të trajtohet si prioritet kombëtar, duke e konsideruar atë garancinë më të fuqishme për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. /Telegrafi/
