Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, është vlerësuar nga Franca me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres”, një nga dekoratat më të rëndësishme që akordohet për figura me ndikim të veçantë në art dhe kulturë.
Artistja ndau emocionet e saj përmes një mesazhi prekës, ku e cilësoi këtë titull si një nder të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm për të.
Ajo theksoi se Franca përfaqëson dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat njerëzore.
Jaho shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj artistik, duke falënderuar veçanërisht agjentin e saj afatgjatë, Dominique Riber, për mbështetjen dhe besimin ndër vite, si edhe Jean-Philippe Thiellay për përkushtimin ndaj operës dhe kontributin në realizimin e këtij momenti të rëndësishëm.
Sopranoja shqiptare u shpreh gjithashtu se ceremonia mori një kuptim edhe më të veçantë falë pranisë së miqve, dashamirësve të artit dhe publikut që ka vlerësuar punën e saj gjatë karrierës.
Ermonela Jaho konsiderohet sot një nga emrat më të vlerësuar të operës në arenën ndërkombëtare, me interpretime në skena të njohura botërore si Royal Opera House, Metropolitan Opera dhe Teatro alla Scala. /Telegrafi/
