Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka njoftuar se ka kërkuar zyrtarisht nga të gjitha institucionet arsimore publike të Kryeqytetit që, krahas flamurit të Republikës së Kosovës, në hyrjet e shkollave të vendoset edhe flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Elshani ka bërë të ditur se kërkesa është përcjellë te drejtorët e institucioneve arsimore publike, duke kërkuar që vendosja të bëhet në hyrjen kryesore të secilit institucion.
Në kërkesën drejtuar shkollave thuhet se UcK-ja “është pjesë e pandashme e historisë së çlirimit të Kosovës”, ndërsa lufta dhe sakrifica e saj për lirinë e vendit përbëjnë, sipas Drejtorisë së Arsimit, një kapitull të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës.
“Institucionet arsimore nuk janë vetëm hapësira ku nxënësit marrin dije, por edhe vende ku formohet kujtesa historike dhe qytetare e brezave të rinj”, thuhet në kërkesë.
Më tej, Drejtoria e Arsimit ka kërkuar që vendosja e flamurit të UÇK-së të bëhet “në mënyrë dinjitoze dhe të njëtrajtshme” në të gjitha institucionet arsimore publike të Kryeqytetit, duke respektuar rregullat përkatëse institucionale dhe protokollare. /Telegrafi/