Mesfushori i talentuar Lutfi Dalipi ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar, kështu mëson Telegrafi.
Dalipi ka qenë emri më i përfolur në Zvicër këtë edicion, duke qenë padiskutim sensacioni i sezonit, kurse shokoi të gjithë kur e refuzoi ftesën e grupmoshave U21, duke e informuar Federatën Zvicerane se do të luajë për Kosovën ose Shqipërinë, premtim që ia kishte dhënë gjyshit.
Ky vendim tashmë është marrë nga lojtari. Telegrafi merr vesh se Dalipi do të jetë lojtari më i ri i Kosovës. Përpos kësaj, lojtari nga Presheva do të jetë në Prishtinë të premten kurse të shtunën do ta shikojë nga afër sfidën mes Kosovës dhe Izraelit, që zhvillohet në “Fadil Vokrri”, nga ora 15:00 në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Përveç tri prurjeve të fundit që i kemi përmendur, Enis Rexhepit, Bleon Kurtulusit dhe Lindrit Kamberit, mund t’ju bëj me dije se afrimi i fundit i Kosovës është Lutfi Dalipi. Këtë e them me 100 për qind bindje: në muajin mars, ai do të jetë lojtar i Kosovës. Ekskluzivisht për shikuesit e “Arena e Yjeve”, mund të zbuloj se Dalipi do të jetë i pranishëm në ndeshjen e Kosovës ndaj Izraelit, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do ta përcjellë nga afër përfaqësuesen dardane”.
“Po flasim për një futbollist që, në këtë moment, është ndoshta ndër lojtarët shqiptarë më në formë. Ai po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Vaduzin, ku luan si i huazuar nga Young Boys. Dalipi ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime, ndërsa në aspektin e driblimeve është ndër më të dalluarit në Evropë, me 36 driblime të kompletuara”, ka deklaruar gazetari Lavdim Pireva në podcastin Arena e Yjeve, prodhim i Telegrafit.
Ardhja e tij te Kosova do të jetë një lëvizje e madhe për “Dardanët”, duke pasur parasysh cilësinë e madhe të lojtarit për të luajtur në disa pozicione në aspektin ofansiv.
Faktikisht, me formën e jashtëzakonshme që po kalon, Dalipi pritet edhe të bëjë një lëvizje të madhe në verë dhe të luajë në Bundesliga edicionin tjetër, ku po kërkohet me ngulm nga gjigantët gjermanë si RB Leipzig, Hoffenheim e Eintracht Frankfurt.
Por, kush është Dalipi? 20-vjeçari që e zgjodhi Kosovën para Shqipërisë?
Që nga fillimi i sezonit, Dalipi është përcjellë vazhdimisht si nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ashtu edhe nga Federata Shqiptare (FSHF).
Të dy përzgjedhësit e kanë kontaktuar lojtarin për t’ia konfirmuar se e duan sa më parë në ekip, derisa Ronaldo Maran edhe udhëtoi për në Zvicër bashkë me presidentin Armand Duka ku u takuan fizikisht si me të, ashtu edhe me Samuel Krasniqin e Grasshoppers.

Mirëpo, burimet thonë se projekti i Kosovës i ka pëlqyer më shumë lojtarit dhe pas disa ditëve bisedime me familjen, i ka kthyer përgjigje pozitive “Dardanëve”.
Kësisoj, Dalipi do të jetë në dispozicion të Kosovës që nga muaji mars, pra kur të fillojnë zyrtarisht kualifikueset për Kampionatin Evropian “Euro 2028”.
Garë e “çmendur” për të në Gjermani
Interesimi për djaloshin nga Presheva është tepër i madh në tërë Evropën, por e tërë vëmendja është padyshim në Gjermani, më saktësisht në Bundesliga.
Në bazë të raportimeve të mediave zvicerane, Lutfi Dalipi tashmë është kontaktuar nga klubet si Leipzig, Hoffenheim e Frankfurt, kurse mbetet nën “radarin” edhe të Fiorentines e Betisit.
Dëshira e lojtarit aktualisht është që ta përfundojë këtë edicion te Vaduzi, para se të kthehet te Young Boys dhe më pas do ta marrë vendimin për të ardhmen./Telegrafi/

