Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Strategjinë e Energjisë të miratuar në Kuvend para katër vjetësh, duke e cilësuar atë si dokument të pabazë, artificial dhe jorealist.
Hoti ka thënë se që në kohën e miratimit të saj kishte paralajmëruar se strategjia nuk do të sillte rezultate, pasi, sipas tij, fokusi ishte vendosur te masat për efiçiencë të energjisë dhe jo te krijimi i kapaciteteve të reja prodhuese.
“Kur është miratuar Strategjia e Energjisë në Kuvend para katër vitesh, ju kam thënë se strategjia është dokument i pabazë, artificial, jorealist, që nuk shpie askund”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka kritikuar gjithashtu mos përfshirjen e projektit të gazit dhe projektit “Kosova e Re” në strategji, duke theksuar se këto projekte më pas u anuluan.
Sipas Hotit, pasojat e politikave energjetike po i bartin sot qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
“Prodhimi është më i ulët se në vitin 2016. Sot, bizneset paguajnë deri në trefish më shumë dhe asgjë nuk kanë të sigurt sa i përket furnizimit. Familjet gjithashtu po paguajnë më shtrenjtë”, shtoi.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar edhe paralajmërimet e vazhdueshme të Qeverisë për një dimër të vështirë, duke i krahasuar ato me periudhën e komunizmit.
“Gjashtë vite në pushtet, ende deklarojnë se ky dimër do të jetë i vështirë. Kjo ngjan me kohën e komunizmit, kur pas çdo plani pesëvjeçar vinin kohë edhe më të vështira për qytetarët dhe pushteti u kërkonte sakrifica të tjera”, është shprehur Hoti.
Në përfundim, Hoti ka drejtuar akuza të ashpra ndaj pushtetit, duke thënë se qeverisja aktuale do të mbahet mend për atë që ai e cilësoi si një periudhë fatkeqe për Kosovën.
“Këta mashtrues dhe abuzues do të mbahen mend si një episod fatkeq i qeverisjes në Kosovë”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.

