Të enjten në Malishevë tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në lagjen “Mirëdita”.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth mesditës.
“Rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen ‘Mirëdita’, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, ka deklaruar Elezaj të enjten.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë gjetur tre viktima, të cilat nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve.
“Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka shtuar ai.
Policia njofton se për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit dhe se hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
“Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje”, ka përfunduar Elezaj
Dyshimet për bombolë gazi bien poshtë, vijojnë hetimet për tragjedinë në Malishevë
Komandanti i policisë në Malishevë, Nazmi Zogaj pas rastit tragjik ka deklaruar se nuk ka ndonjë informatë për shpërthim të bombolës se gazit për rastin në Malishevë, ku mbetën të vdekur tre persona.
Zogaj tha se policia ka pranuar rastin në 12:55 dhe njësitet policore e hetimore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Ne si polici në ora 12:55 minuta kemi pranuar një informatë për një banesë në banimin kolektiv social që është duke u djegur, kemi njoftuar njësinë emërgjente dhe të zjarrfikësve që t’u ofrojmë ndihmë. Në vendin e ngjarjes emergjenca shëndetësore e kanë hasur aty një person pa vetëdije dhe menjëherë është dërguar në QKMF, ndërsa fëmijët nga një banor. Mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tyre. Mosha 35, 9 dhe 12 vjeçar”, tha ai para gazetarëve.
Zogaj tha se nuk ka pasur raportime për shpërthim të bombolës së gazit.
“Kjo është informata që kemi për momentin, banesa ka qenë shumë e tymosur, Arsyeja e zjarrit, janë duke u bërë hetimet ende. Deri më tani nuk kemi informatë për bombolë gazi, sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët ndonjë eksplodim”, shtoi ai.
Shkaku i zjarrit në banesë në një lagje të komunës së Malishevës nuk dihet ende.
Viktimat janë babai 35 vjeçar me dy fëmijët e tij, vajzën dhe djalin 9 dhe 12 vjeç.
Prokurorja e rastit: Ende nuk dihen shkaqet e tragjedisë në Malishevë
Pas rastit tragjik në Malishevë është deklaruar edhe prokurorja Ardita Beqiri-Hyseni.
Ajo ka thënë se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit tragjik në Malishevë, ku humbën jetën një burrë dhe dy fëmijët e tij, duke theksuar se hetimet janë në fazë fillestare.
Sipas saj, të gjitha njësitet përkatëse ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat e këtij rasti të rëndë.
Ajo shtoi se deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara lidhur me shkakun e zjarrit, përfshirë raportimet se ai mund të jetë shkaktuar nga një bombol gazi.
“Shkaqet akoma nuk dihen, mirëpo të gjitha njësitet janë në vend ngjarje… nuk kemi informacion deri më tani për këtë (se është raportuar se zjarri ka ardhur nga një bombol gazi)”, ka thënë Beqiri-Hyseni. /Telegrafi/