Çfarë kërkohet për të ndërtuar ekonominë e ardhmes, dhe pse dy muajt e ardhshëm peshojnë më shumë se njëzet vitet e fundit.
Për pothuajse dy dekada, rregullat se ku furnizohej, prodhonte apo investonte një kompani evropiane kanë qenë relativisht të qëndrueshme. Kostoja vendoste shumicën e herëve. Një furnizues më i largët, por më i lirë, zakonisht fitonte ndaj një më të afërt e më të shtrenjtë. Kompanitë e ndërtuan mbarë funksionimin e tyre mbi këtë logjikë.
Kjo logjikë tani po shpërbëhet në gjithë Evropën, dhe jo ngadalë, po brenda vetëm pak vitesh. Viteve të fundit, kostoja e energjisë u rrit ndjeshëm dhe ende nuk është stabilizuar; zinxhirët e furnizimit që dukeshin efikas në letër u treguan të dobët në realitet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian shtrëngoi kërkesat e pajtueshmërisë dhe ato mjedisore me një ritëm që pak furnizues jashtë BE-së i kanë arritur t’i ndjekin. Dhe mbi të gjitha këto, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, në inxhinieri, në fusha digjitale, në zanate teknike, po i shtyn kompanitë gjermane të kërkojnë kapacitete jashtë vendit që nuk po i gjejnë brenda.
Katalizatori nuk është një ngjarje e vetme. Është grumbullimi i këtyre presioneve deri në pikën ku logjika e vjetër e furnizimit pushoi së prodhuari rezultate të qëndrueshme, dhe kompanitë filluan të kërkojnë aktivisht një logjikë tjetër.
Në Gjermani konkretisht, ky ndryshim po merr gjithnjë e më shumë formë. Kompanitë gjermane, sipas shumë analizave të fundit, po i japin më shumë peshë afërsisë, besueshmërisë dhe aftësisë për të vepruar brenda kuadreve evropiane të pajtueshmërisë, jo vetëm çmimit. Kjo do të thotë që partneriteti me një kompani gjermane po kërkon diçka më shumë se çmim konkurrues: koordinim të shpejtë, njohje të rregullave evropiane, dhe kapacitet për t’u rritur bashkë në një marrëdhënie afatgjatë.
Ky është një grup kriteresh mjaft të ndryshëm nga logjika që ka mbizotëruar lidhjet ekonomike Kosovë-Gjermani deri tani, dhe shumë kompani, në të dyja anët, ende janë duke u përshtatur me të.
Kjo është pikërisht hapësira ku një institucion si një forum ekonomik mund të luajë rol: jo si simbol vullneti të mirë mes dy vendeve, por si vend ku kompanitë mund të kuptojnë konkretisht çfarë kërkohet prej tyre tani, e jo çfarë kërkohej dje
Nga Teoria në praktikë
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar, Driving the Next Economy, mbahet më 28 dhe 29 tetor në Prishtinë. Qëllimi i tij është ta mbyllë këtë hendek: jo vetëm duke ofruar njohuri, por edhe duke krijuar mundësi reale, qasje direkte tek njerëzit e duhur, dhe një ndryshim në mënyrën si kompanitë kosovare e shohin veten brenda kësaj marrëdhënieje. Programi nuk është ndërtuar rreth ceremonisë, por rreth mekanizmave konkretë që i çojnë kompanitë nga të kuptuarit te veprimi.
Për dy ditë, Forumi sjell në një vend tre fusha të ekonomisë së ardhshme: transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, dhe prodhimin e avancuar. Në secilën, diskutimi strategjik shoqërohet me punë konkrete: si po e ndryshon AI-ja mënyrën se si kompanitë operojnë dhe konkurrojnë, si po zhvillohen partneritetet në ICT dhe nearshoring, cilat janë mundësitë në energjinë e ripërtëritshme dhe financimin e projekteve të reja, dhe si mund të integrohen furnizuesit kosovarë më thellë në zinxhirët evropianë të prodhimit.
Pjesa që zakonisht nuk shihet nga jashtë janë masterklasat, sesione praktike të ndërtuara pikërisht rreth asaj çka kompanive u duhet të dinë, jo çka do të ishte mirë të dinin. Njëra shpjegon çka kërkohet konkretisht për të përmbushur pajtueshmërinë industriale në tregjet gjermane dhe evropiane. Një tjetër trajton kontratat komerciale dhe rregullat e reja të tregtisë me BE-në. Dhe një sesion i veçantë i kushtohet tërësisht Mekanizmit të Rregullimit Kufitar të Karbonit (CBAM), jo si koncept abstrakt, por si diçka që tashmë po ndikon te konkurrueshmëria e eksportuesve kosovarë në tregun evropian.
Diskutimet zgjerohen edhe në dialogun për investime, i ndërtuar rreth një pyetjeje që rrallë bëhet drejtpërdrejt: çka e bën një kompani vërtet të gatshme për investim. Jo qasja në kapital, por qeverisja korporative, transparenca financiare dhe aftësia për të ndërtuar partneritete strategjike afatgjata, të njëjtat kritere që përdorin institucionet financiare zhvillimore dhe investitorët ndërkombëtarë kur vendosin ku shkon kapitali. Krahas kësaj, një sesion i veçantë e trajton diasporën e biznesit kosovar në Gjermani si diçka konkrete: lidhje investimi, inovacioni dhe bashkëpunimi industrial që tashmë ekzistojnë dhe që mund të lidhin më shumë kompani me tregun gjerman.
Nën gjithë këtë, rrjedhin takimet e strukturuara B2B, ndërtuar që dy ditë të prodhojnë diçka më të qëndrueshme se një grumbull kartëvizitash: biseda konkrete, të paracaktuara, me kompanitë kosovare dhe gjermane që janë vërtet relevante për njëra-tjetrën.
Jo thjesht një event. Një platformë pune për ekonominë e ardhshme.
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar sjell këto ndryshime në një vend të vetëm, në Prishtinë, më 28 dhe 29 tetor. Pyetja që qëndron në qendër të edicionit të tretë nuk është nëse Kosova dhe Gjermania duan të bashkëpunojnë më shumë. Është si ta bëjnë këtë bashkëpunim konkret, në sektorët që tashmë po formësojnë ekonominë evropiane: teknologji, energji dhe industri.
Driving the Next Economy
28–29 tetor, Hotel Emerald, Prishtinë
Regjistrohu: https://www.b2match.com/e/german-kosovar-economic-forum
Për më shumë, na ndiqni në rrjetet sociale:
Facebook: https://www.facebook.com/OEGJK
Linkedin: https://www.linkedin.com/company/german-kosovar-bu…
Instagram: https://www.instagram.com/kdwv_oegjk/?hl=en