Celine Dion është rikthyer në Paris për një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj të fundit.
Këngëtarja 58-vjeçare u largua nga hoteli të shtunën në mbrëmje, ku përshëndeti fansat që e prisnin përpara koncertit të saj të madh të rikthimit.
Fansat e saj, të njohur si “kokat e kuqe”, kishin përgatitur një homazh të veçantë me karamele dhe mollë, duke iu referuar betejës shëndetësore të artistes, shkruan DailyMail.
Mesazhi i tyre ishte se kujdesen më shumë për shëndetin dhe mirëqenien e Celine sesa për performancat e saj.
Rikthimi vjen pas një pauze të gjatë, pasi Dion u detyrua të anulonte pjesën e mbetur të turneut botëror “Courage” në vitin 2023, pas diagnostikimit me Sindromën e Personit të Ngurtë.
Kjo gjendje shkakton ngurtësi muskulore dhe spazma të dhimbshme, duke ndikuar edhe në aftësinë e saj për të performuar.
Pavarësisht sfidave, këngëtarja është përgatitur intensivisht për rikthimin, përmes terapisë fizike dhe vokale, Pilatesit dhe baletit.
Rezidenca e saj në Paris do të zgjasë pesë javë dhe përfaqëson serinë e parë të koncerteve të saj pas anulimit të turneut.
Performanca e fundit e saj në skenë ishte në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024.
Ndërkohë, dokumentari “I Am: Celine Dion”, i publikuar po atë vit, solli një pasqyrë të sinqertë të jetës së saj me këtë sëmundje. /Telegrafi/