Antonio Conte ka kritikuar Manchester Unitedin pas vendimit të klubit anglez për të emëruar Mauricio Pochettinon si trajner të ri të përhershëm, duke lënë të kuptohet se hezitimi për ta angazhuar atë lidhet me kërkesat e larta që ka nga skuadra dhe klubi.
Trajneri italian, i cili ishte përmendur si një prej kandidatëve kryesorë për ta marrë drejtimin e “Djajve të Kuq” pas largimit të Michael Carrick, ka thënë se disa klube hezitojnë ta angazhojnë për shkak të metodave të tij të punës.
Conte, i cili njihet për disiplinën dhe intensitetin e lartë në stërvitje, ka deklaruar se klubet që frikësohen nga mënyra e tij e punës, në fakt frikësohen nga suksesi.
“Manchester United ka një histori kaq të madhe, saqë më duket e çuditshme të mendoj se dikush mund të ketë frikë nga një qasje që synon rikthimin e klubit në nivelin e tij të vërtetë. Ata e kanë fituar për herë të fundit ligën në vitin 2013, nën drejtimin e Fergusonit”, deklaroi Conte.
Italiani foli edhe për respektin që ka për ish-trajnerin legjendar të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, duke zbuluar se kishte pasur rastin ta vizitonte në shtëpinë e tij në Londër.
“Kam respekt të jashtëzakonshëm për Sir Alex Fergusonin. E kam lexuar librin e tij dhe, kur isha në Londër, pata fatin ta vizitoja në shtëpinë e tij dhe të kaloja një ditë me të. Ai ka një pasion të jashtëzakonshëm kur flet për futbollin”, shtoi trajneri italian.
Conte më pas u rikthye te vendimi i klubeve që nuk kanë zgjedhur ta angazhojnë, duke e cilësuar si ofenduese idenë se metodat e tij mund të jenë pengesë për rikthimin e Manchester Unitedit në majat e futbollit.
“Nëse dikush ka frikë nga metodat e mia, atëherë ka frikë nga fitoret, sepse kjo mënyrë pune të çon drejt suksesit. Kjo është përgjigjja ime. Prandaj, disa deklarata më duken pothuajse ofenduese ndaj Unitedit, sikur dikush po vendos veto ndaj rikthimit të klubit në historinë e tij”, deklaroi Conte.
“Për të arritur rezultate të mëdha nevojitet një metodologji. Dhe nëse po sugjeroni se kjo metodologji kërkon shumë punë, atëherë po, kërkon. Të gjithë duhet të punojnë shumë, jo vetëm futbollistët”, përfundoi ai./Telegrafi/

