Anita Haradinaj është rikthyer pas në kohë për të kujtuar një prej momenteve më të rëndësishme dhe emocionale të jetës së saj, kur bashkëshorti i saj, Ramush Haradinaj, po përballej me procesin gjyqësor në Hagë.
Në një lidhje me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, pamjet e vitit 2012, kur Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat, janë rikthyer në emisionin “Kosova Today” të Klan Kosovës.
Në atë kohë, Anita Haradinaj kishte pritur në shtëpinë e saj ekipin e Klan Kosovës dhe kishte ndjekur nga afër seancën gjyqësore gjatë së cilës u shpall vendimi për lirimin e bashkëshortit të saj.
Pamjet e asaj dite janë transmetuar sërish në një kohë kur në Hagë është shpallur aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
– YouTube youtu.be
Duke kujtuar atë periudhë, Anita ka treguar se emocionet e përjetuara gjatë ndjekjes së seancës së fundit në Hagë i kanë rikthyer në njëfarë mënyre ndjesitë e vitit 2012.
Ajo ka thënë se e ka përjetuar pothuajse njësoj emocionalisht seancën e fundit, sikurse atëherë kur priste vendimin për Ramush Haradinajn.
Ramush Haradinaj ishte gjykuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ndërsa në vitin 2008 ishte shpallur i pafajshëm për akuzat ndaj tij. Pas një procesi të dytë, në nëntor të vitit 2012, ai u shpall sërish i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha akuzat.
Rikthimi i pamjeve të Anita Haradinajt vjen në një moment të ndjeshëm për Kosovën, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke sjellë në vëmendje edhe përvojën e mëparshme të një familjeje kosovare që përjetoi nga afër një proces gjyqësor në Hagë. /Telegrafi/