Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar lidhur me vazhdimin e rrënimit të shtëpive dhe objekteve të ndërtuara pranë Liqenit të Ujmanit, duke tërhequr vërejtjen se zbatimi selektiv i rregulloreve dhe shpërfillja e procedurave të rregullta ligjore nuk i kontribuojnë stabilitetit.
Në një përgjigje për mediumin “Kosovo Online”, Ambasada amerikane ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë në mënyrë transparente dhe të drejtë, duke bërë të ditur se do të vazhdojë t’i përcjellë nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje, transmeton lajmi.net.
“Zbatimi selektiv i rregulloreve ose shpërfillja e procesit të rregullt ligjor nuk kontribuon në stabilitet. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë në mënyrë transparente dhe të drejtë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.
Reagimi vjen pas aksioneve të institucioneve të Kosovës për rrënimin e objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut, të cilat autoritetet i konsiderojnë ndërtime pa leje në pronë publike.
Aksioni më i fundit për rrënimin e objekteve është zhvilluar më 20 nëntor 2026, kur autoritetet e Kosovës kanë rrënuar dy shtëpi pranë Liqenit të Ujmanit, ndërsa kanë paralajmëruar edhe largimin e katër verandave të tjera. Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, kishte njoftuar se Inspektorati i ministrisë kishte nisur rrënimin e gjithsej gjashtë objekteve të ndërtuara pa leje. Policia e Kosovës kishte konfirmuar se kishte asistuar në këtë aksion.
Ky aksion është vazhdim i një procesi që kishte nisur më herët gjatë vitit. Më 21 korrik 2026, institucionet e Kosovës kishin rrënuar 11 vila në bregun e Liqenit të Ujmanit, në zonën e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”.
Sipas autoriteteve të Kosovës, objektet ishin ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”. Kjo ndërmarrje kishte kërkuar nga banorët që të dëshmonin të drejtat e tyre pronësore mbi parcelat ku ishin ndërtuar objektet.
Megjithatë, rrënimet janë kundërshtuar nga disa prej pronarëve, të cilët kanë pretenduar se kanë dokumentacion për pronësinë e tokave dhe se për disa prona kanë qenë duke u zhvilluar procedura gjyqësore. Kjo ka ngritur debat lidhur me të drejtat pronësore dhe respektimin e procedurave ligjore para ndërmarrjes së veprimeve të pakthyeshme.
Çështja kishte nxitur reagime edhe nga Bashkimi Evropian, i cili në korrik dhe gusht kishte kërkuar pezullimin e rrënimeve të mëtejshme deri në adresimin e shqetësimeve lidhur me procedurat ligjore, të drejtat pronësore dhe mjetet juridike të personave të prekur.
Edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe kishin shprehur shqetësim për zhvillimet, duke kërkuar procese transparente, respektim të sundimit të ligjit dhe mundësi që banorët e prekur t’i ushtrojnë të drejtat e tyre.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë mbrojtur aksionet, duke i paraqitur ato si pjesë të përpjekjeve për kthimin e pronave publike dhe luftimin e ndërtimeve pa leje.
Liqeni i Ujmanit, i cili shtrihet kryesisht në territorin e komunës së Zubin Potokut, ka rëndësi të veçantë strategjike për Kosovën, pasi uji i tij përdoret për furnizimin e qytetarëve, ujitjen e tokave bujqësore dhe ftohjen e termocentraleve.
Me reagimin e fundit, edhe Ambasada amerikane i është bashkuar thirrjeve për transparencë dhe respektim të procedurave ligjore në trajtimin e kësaj çështjeje./lajmi.net/

