Gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë të moshës 8 dhe 10 vjeç, kanë humbur jetën pasi një avion i vogël u rrëzua në Gjirin e Meksikës, pranë brigjeve të shtetit Misisipi, në SHBA.
Sipas autoriteteve të rojës bregdetare amerikane, bëhet fjalë për një avion të tipit Cessna 210, i cili ishte nisur nga New Orleans drejt Fort Myers, në Florida, raporton BBC-i, transmeton IndeksOnlie.
Kontakti me avionin është humbur rreth orës 15:45 sipas kohës lokale, ndërsa ai u rrëzua në ujërat e Gjirit të Meksikës, në zonën mes qytetit Pascagoula dhe ishullit Horn Island.
Pas disa orësh kërkimesh, zhytësit arritën të lokalizonin trupat e pajetë të katër të rriturve dhe dy djemve, të cilët u gjetën brenda kabinës së avionit.
Fillimisht, ekipet e shpëtimit kishin gjetur në sipërfaqen e ujit vetëm tre jelekë shpëtimi, një gomone shpëtimi dhe pjesë të kabinës së avionit.
Koordinatori i operacionit të shpëtimit nga roja bregdetare, komandanti Trevor Blount, shprehu keqardhje për përfundimin tragjik të ngjarjes, duke falënderuar njëkohësisht të gjitha institucionet e përfshira në operacion.
Autoritetet amerikane po vazhdojnë trajtimin e rastit, ndërsa ngjarja ka përfunduar me një bilanc tragjik prej gjashtë viktimash, mes tyre edhe dy fëmijë.

