Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë gjuhën seksiste dhe fyerjet me bazë gjinore në institucionin ligjvënës, duke thënë se do të ndërhyjë ndaj çdo rasti të tillë, pavarësisht përkatësisë politike të deputetëve.
Gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete në kuadër të nisjes së fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Haxhiu ngriti shqetësimin për mënyrën se si trajtohen gratë në jetën publike dhe veçanërisht ato që ushtrojnë funksione politike, transmeton lajmi.net.
Ajo tha se gratë politikane shpesh bëhen cak i sulmeve që nuk kanë të bëjnë me punën apo qëndrimet e tyre politike, por me pamjen fizike, trupin, moshën dhe jetën private.
“Gratë në politikë vazhdojnë të përballen me fyerje e sulme që kanë të bëjnë me pamjen, me trupin e tyre, me moshën apo me jetën e tyre private. Një burrë mund të kritikohet ashpër për qëndrimet e tij politike, ndërsa një grua, krahas qëndrimeve, shpesh gjykohet edhe për të drejtat e saj për të qenë aty”, deklaroi Haxhiu.
Ajo u shpreh e vendosur që gjatë ushtrimit të detyrës si kryetare e Kuvendit të mos lejojë normalizimin e një gjuhe të tillë në debatet parlamentare.
“Për sa kohë e drejtoj Kuvendin nuk do të lejoj që gjuha seksiste të trajtohet si pjesë e zakonshme e debatit parlamentar. Le të më quajnë arrogante, le të më quajnë e ashpër, unë do të ndërhyj ndaj fyerjeve dhe poshtërimeve mbi baza gjinore, pa dallim partie. Për të gjitha partitë politike do të vlejë njësoj”, theksoi ajo.
Haxhiu paralajmëroi gjithashtu se do të angazhohet për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Etikës, në mënyrë që të përcaktohen qartë përgjegjësitë dhe pasojat për deputetët që përdorin gjuhë seksiste apo sjellje poshtëruese ndaj grave.
Përveç Kuvendit të Kosovës, ajo kërkoi që standardet e njëjta të zbatohen edhe në kuvendet komunale, ku, sipas saj, asambleistet vazhdojnë të përballen me gjuhë fyese dhe diskriminuese.
“Unë kam parë, kam dëgjuar dhe jam dëshmitare e gjuhës seksiste që përdoret edhe në kuvendet komunale ndaj asamblisteve tona pa dallim partie. Gratë duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në politikë, ku flasin dhe të kundërshtojnë pa u përballur me sulme për shkak të gjinisë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Në këtë drejtim, Haxhiu i bëri thirrje Grupit të Grave Deputete dhe organizatave partnere që të vazhdojnë bashkëpunimin për adresimin e këtyre problemeve, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të jenë pengesë për mbrojtjen e grave.
Ajo theksoi se përgjegjësia për luftimin e gjuhës seksiste nuk duhet të mbetet vetëm te gratë, por edhe burrat që mbajnë pozita publike duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim.
“Edhe burrat që mbajnë përgjegjësi publike kanë rol të rëndësishëm në këtë përpjekje. Dua t’i shoh më të pranishëm në këto diskutime dhe më të vendosur për ta kundërshtuar gjuhën dhe sjelljen që e poshtëron gruan, edhe kur ajo vjen nga rrethi i një partie tjetër”, tha Haxhiu.
Fushata “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” këtë vit po zhvillohet me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”./lajmi.net/

