Sulmuesi senegalez, Sadio Mane, mund të rikthehet shumë shpejt në futbollin evropian, me gjigantin turk Galatasaray që po shihet si destinacioni i tij i radhës.
Kampionët në fuqi të Arabisë Saudite, Al-Nassr, janë të hapur për shitjen e 34-vjeçarit që në afatin kalimtar të janarit, ndërsa vlera e kartonit të tij raportohet të jetë rreth gjashtë milionë euro, shkruan IndeksOnline.
Megjithatë, pengesa kryesore për realizimin e këtij transferimi mbetet paga e majme e futbollistit.
Mane aktualisht përfiton rreth 40 milionë euro në vit te skuadra saudite dhe për t’u rikthyer në Evropë do të duhej të pranonte një reduktim të konsiderueshëm të saj.
Në 15 paraqitje gjatë këtij sezoni me fanellën e Al-Nassr, ai ka arritur të shënojë tre gola dhe të regjistrojë tetë asistime.
Kalimi te Galatasaray mbetet një mundësi reale për Manen, por gjithçka do të varet nga marrëveshja mes palëve sa i përket kushteve financiare. /IndeksOnline/

