Platforma digjitale AgroB2B ka marrë një version të përditësuar, me synimin për të krijuar më shumë mundësi lidhjeje mes kompanive agro-ushqimore të Kosovës dhe tregjeve vendore e ndërkombëtare.
Në kuadër të projektit EREA, AgroB2B synon të shërbejë si një pikë takimi për prodhuesit, përpunuesit, distributorët, eksportuesit dhe kompani të tjera të sektorit agro-ushqimor.
Përmes platformës, bizneset mund të rrisin dukshmërinë e produkteve të tyre, të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me partnerë të rinj dhe të zgjerojnë mundësitë për qasje në tregje.
Në kuadër të AgroB2B-së janë të regjistruara kompani nga disa sektorë të bujqësisë dhe industrisë ushqimore. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma, 30 kompani nga sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA) dhe produkteve pyjore jo drusore (PPJD) janë pjesë e saj.
Ndërkaq, sektori i pemëve të imëta përfaqësohet nga 21 kompani të regjistruara, ndërsa në sektorin e frutave dhe perimeve të përpunuara janë të regjistruara 46 kompani.
Një fokus i veçantë i platformës është edhe fuqizimi i bizneseve të drejtuara nga gratë. Sipas të dhënave të publikuara, 37 kompani të drejtuara nga gra janë tashmë pjesë e rrjetit AgroB2B.
Iniciativa synon që përmes krijimit të kontakteve mes bizneseve të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit, zgjerimin e tregjeve dhe zhvillimin e sektorit agro-ushqimor në Kosovë.
AgroB2B është zhvilluar në kuadër të projektit EREA, i cili implementohet nga Caritas Switzerland in Kosovo dhe mbështetet nga Austrian Development Cooperation.
Platforma mundëson regjistrimin dhe prezantimin e kompanive dhe produkteve të tyre, me synimin që ato të jenë më lehtë të qasshme nga blerës dhe partnerë potencialë në Kosovë dhe jashtë saj.