Nga: Rudolf Marku
1. Në një episod apokrif, kur po vizitonte Pekinin komunist të vitit 1972, në rolin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të administratës së Niksonit, Henry Kisinxheri e pyet Çu En Lain, kryeministër i Kinës, se si e mendon ai rëndësinë e Revolucionit Francez të vitit 1789. Është herët, tepër herët, që të mund të shprehësh një mendim për një ngjarje që ka ndodhur veç disa shekuj më parë – qe përgjigjja enigmatike e kryeministrit më enigmatik të asaj kohe.
M’u kujtua vetvetiu ky episod tek lexoja këto ditë jetën e perandorëve romakë. Jetën e dhjetë perandorëve më të famshëm të Perandorisë Romake, që kanë lënë më gjurmë në historinë e Romës së lashtë. Dhe, jo vetëm në atë të Romës së lashtë. A është herët që të mund të gjykojmë historinë e Romës së lashtë? Jo që ta gjykojmë, sepse kjo është jashtë mundësive të njeriut modern, por që të paktën të mund të nxirrnim ndonjë ngjashmëri me historinë e kohërave tona? Nuk besoj se është herët. Ashtu siç më jepet të besoj se kurrë nuk është dhe vonë.
Ajo që vihet re si një ngjashmëri e të gjithë perandorëve është joshja e parezistueshme e tyre për të qenë autorë, krijues; është kompleksi i madh i autoromanisë, kompleks që e kanë të gjithë politikanët dhe njerëzit që e vuajnë humnerën ndarëse të ambicies me mediokritetin anonim ose dhe humnerën mes pushtetit të përkohshëm dhe përjetësisë.
Të gjithë perandorët romakë shkruanin, disa prej tyre madje shkruanin mirë. Shkruanin kujtimet e veta, shkruanin për fushatat ushtarake, shkruanin udhëzime për qytetarët e vet, shkruanin traktatet për historinë, për gjuhësinë, për filozofinë, shkruanin kundër kundërshtarëve të vet. Perandorët e Romës së lashtë, natyrisht, jo për fajin e tyre, nuk ishin aq me fat sa të shkruanin në internet, në Facebook, në Twitter, në WhatsApp … Vihet re joshja e tyre ndaj krijimtarisë artistike.
Jul Çezari, veç librit të famshëm të përshkrimeve të fushatës në Gjermaninë e sotme, shkroi, po ashtu si dhe tragjedianët e vjetër të Greqisë, një “Edip”. Natyrisht, ku e ku larg gjenisë së grekëve të lashtë. Por, sidoqoftë, me ambicien për të shkruar të njëjtin subjekt. Augusti shkruan një “Ajant” – ç’është e vërteta me vështirësi të madhe, aq sa e kishte zakon të thoshte, me një sinqeritet mahnitës, se këtë radhë Ajanti po vuan shumë herë më tepër nga stili i vetë Augustit, sesa nga plagët e vërteta që pat marrë. Tiberi pat shkruar një “Elegji për vdekjen e Jul Çezarit”. Klaudi, një sundimtar sa i zymtë, aq edhe tërheqës në zymtësinë e vet, do mbahet mend si një sundimtar pedant që u përpoq ta reformonte alfabetin latin. Ai qe gjithashtu njëri ndër të parët që u mor seriozisht me një histori etruske. Neroni qe i fiksuar me famën e poezisë dhe me krijimtarinë artistike. Donte me çdo kusht që të pranohej si artist. Si autor. Jul Çezari dhe Augusti qenë shkrimtarë prozatorë dhe ata të obsesionuar me famën artistike; secili prej tyre shkruan në latinishten klasike, në latinishten e vjetër, në latinishten e drejtpërdrejtë. Augusti veçanërisht përçmon atë çfarë ai quan “Stil aziatik” – stilin e të shprehurit në mënyrë jo të qartë, të shkapërdarë, me fraza qëllimisht të ngatërruara për t’u dukur në mënyrën më spekulative sa më i ditur …
E përbashkëta e perandorëve romakë është dhe frika ndaj thikës, kamës, vrasjes së papritur. E përbashkëta e tyre është pasiguria që u jep pushteti. Të gjithë pa përjashtim mbajnë në oborret e tyre, krahas bodigardëve, edhe këshilltarë dhe ministra që dinë të deshifrojnë horoskopin, që dinë të lexojnë shenjat paralajmëruese, që dinë të deshifrojnë ëndrrat (Frojdi është tepër i vonuar në teorinë e vet të ëndrrave) … Të gjithë dëshmojnë se vuajnë nga pagjumësia (shekuj më vonë, një shkrimtar anglez i quajtur Uiliam Shekspir do të thotë për një sundimtar se vrasjet ia kanë vrarë një herë e përgjithmonë gjumin) … Dhe, të gjithë bashkohen në çrregullimet psikike. Kaligula qe i marrë. Neroni, i cili në fillimet e veta të qeverisjes së Perandorisë shfaqet si një perandor premtues, i suksesshëm, bëhet progresivisht irracional. Taciti, historiani romak vë re se si Tiberi kthehet shumë shpejt në një gërmadhë njerëzore, i shkatërruar dhe i transformuar nga ndikimi violent i pushtetit absolut.
Lajtmotivi bashkues i perandorëve romakë qe dhe adhurimi i tyre ziliqar për Aleksandrin. Jul Çezari i ri ofshan mbi varrin e maqedonasit të madh. Augusti urdhëron që t’i hapet varri, që të mund të shohë të paktën kafkën e udhëheqësit botë-pushtues. Neroni e quante gardën e vet “Falanga e Aleksandrit të Madh”. Ndërsa, te ne duket se të gjithë kryeministrat e postkomunizmit, në një mënyrë a në një tjetër, kanë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqen, direkt a indirekt, adhurimin e tyre për Enver Hoxhën … Është adhurimi i pushtetit për pushtet, aq i lakmueshëm në kohërat tona moderne. Në kohërat tona të qeverisur nga çezarët e pushtetit, ku njerëzit trajtohen as më shumë e as më pak si gjëra, sende, madje sende të pavlerë …
2. Në romanin e njohur Vjeshta e patriarkut, Gabriel Garsia Markezi na rrëfen për një tiran që zotëroi në pushtet me qindra vite, në mos përjetësisht. Ndoshta që nga kohërat romake. Vetë vdekja e diktatorit dhe shkatërrimi i regjimit të tij nuk ndodhin ngase ka ardhur koha që ai të vdesë dhe bashkë me të edhe regjimi i tij të shkatërrohet. Vdekja e diktatorit ndodh ngase vetë koha vdes. Historia e diktatorit të Vjeshtës së patriarkut është si një udhëtim në një vrimë të zezë në hapësirën kozmike. E shkuara kthehet jo vetëm në atë që ka qenë, por edhe në atë çfarë është dhe çfarë do të jetë. Duket se diktatori i romanit të Markezit ka shumë jetë brenda një jete. E tanishmja është njëkohësisht e ardhme dhe e shkuar. Diktatori i Vjeshtës është njëri nga perandorët romakë a njëri nga diktatorët komunistë ose dhe paskomunist (duke qenë se këto dy terma nuk kanë dhe ndonjë dallim shumë të madh mes tyre). Apo njëri nga udhëheqësit modernë. Diktatori jeton dhe vdes dhe prapë jeton; ai është njëkohësisht i vdekur dhe i gjallë në çdo çast. Ai përsëritet gjatë një procesi riproduktiv në pamje të ndryshme dhe me mosha të ndryshme, sepse nuk duhet të harrojmë se ai është i pavdekshëm. Ndoshta këtë kishte parasysh kryeministri kinez në përgjigjen e vet enigmatike në atë vit të largët 1972 …