Florentino Perez do të vazhdojë të udhëheqë Real Madridin edhe në vitet e ardhshme, pasi ka fituar zgjedhjet presidenciale të klubit, sipas raportimeve të mediave të mëdha spanjolle.
Sipas sondazheve të publikuara nga Marca, AS dhe La Sexta, 79-vjeçari ka mposhtur rivalin e tij Enrique Riquelme dhe ka siguruar një mandat të ri në krye të klubit madrilen.
Perez ka marrë 66 për qind të votave, ndërsa kandidati 37-vjeçar Riquelme ka fituar 33 për qind. Megjithatë, rezultati i Riquelmes konsiderohet i rëndësishëm, pasi ai ka tejkaluar pritshmëritë dhe ka fituar më shumë se 20 për qind të votave.
Këto ishin zgjedhjet e para presidenciale në Real Madrid pas dy dekadash dhe njëkohësisht ato me pjesëmarrjen më të madhe në historinë e klubit.
Deri në orën 17:00 kishin votuar 23.593 anëtarë të klubit, ndërsa kutitë e votimit u mbyllën në orën 20:00. Zyrtarizimi i fitores së Perezit pritet të bëhet gjatë mbrëmjes.
Kjo është fitorja e tretë e Florentino Perezit në zgjedhje presidenciale, pas triumfeve të viteve 2000 dhe 2004, kur kishte mposhtur Lorenzo Sanzin.
Gjatë mandatit të ri, Perez ka konfirmuar se trajner i Real Madridit do të jetë Jose Mourinho, ndërsa dy transferimet e para të verës pritet të jenë Ibrahima Konate dhe Denzel Dumfries, të cilët sipas raportimeve do të prezantohen këtë javë në Valdebebas.
Po ashtu, presidenti madrilen po përgatit edhe një goditje të madhe në merkato. Sipas mediave spanjolle, Real Madridi pritet të paraqesë një ofertë prej 150 milionë eurosh për Michael Olise, yllin e Bayern Munich, i cili konsiderohet si objektivi kryesor i klubit për këtë verë. /Telegrafi/
