AC Milan ka nisur menjëherë punën për ta emëruar trajnerin e ri pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit, ndërsa mediat në Angli raportojnë se kandidati kryesor është Andoni Iraola.
Sipas Sky Sports, drejtuesit e Milanit kanë kontaktuar zyrtarisht përfaqësuesit e Iraolas, i cili është në prag të largimit nga Bournemouth.
Lëvizja e klubit italian vjen në të njëjtën ditë kur u konfirmua shkarkimi i Allegrit, pas humbjes befasuese në xhiron e fundit ndaj Cagliarit, rezultat që i kushtoi Milanit kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Në anën tjetër, Iraola ka njoftuar se do të largohet nga Bournemouth, pasi realizoi një sezon historik me “Cherries”, duke regjistruar një seri mbresëlënëse prej 18 ndeshjesh pa humbje dhe duke e mbyllur kampionatin në vendin e gjashtë, që i siguroi kualifikim në garat evropiane.
Trajneri spanjoll vlerësohet si një nga emrat më premtues në Ligën Premier dhe, sipas raportimit, Milani e sheh atë si opsionin kryesor për ta udhëhequr fazën e re të rindërtimit në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/
