Shoqata Spanjolle e Gjyqtarëve të Futbollit (AESAF) i është drejtuar Komitetit të Garave të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) duke kërkuar nisjen e një procedure disiplinore ndaj presidentit të Florentino Perez, pas deklaratave të tij publike mbi arbitrimin në futbollin spanjoll.
Sipas AESAF, deklaratat e bëra më 12 maj gjatë një konference për shtyp në ambientet e Real Madridit dhe më 13 maj në një intervistë për La Sexta, përbëjnë akuza të rënda ndaj trupit të gjyqtarëve, duke i cilësuar ata si të përfshirë në “korrupsion sistemik”, “vjedhje titujsh” dhe “pasurim të paligjshëm”.
Në deklaratën e saj, AESAF thekson se këto pretendime shkojnë përtej kritikës sportive dhe përbëjnë, sipas saj, sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit dhe reputacionit të gjyqtarëve.
Shoqata argumenton se, për shkak të pozitës së Perez si drejtues i një prej klubeve më të mëdha në botë, ndikimi i deklaratave të tij është veçanërisht i madh dhe dëmton rëndë imazhin e arbitrazhit.
AESAF i kërkon Komitetit të Garave të RFEF-së masa urgjente dhe paraprake për të ndaluar deklarata të ngjashme në të ardhmen, si dhe shqyrtimin e mundësisë për sanksione disiplinore.
Po ashtu, kërkohet që presidenti i Real Madridit të kompensojë dëmin moral dhe profesional të pretenduar ndaj trupit të gjyqtarëve, si dhe që klubi të publikojë një deklaratë korrigjuese dhe kërkim faljeje.
Shoqata e gjyqtarëve thekson se po vepron në mbrojtje të dinjitetit dhe integritetit të arbitrimit në futbollin spanjoll, duke e konsideruar rastin si një çështje serioze për besueshmërinë e garës. /Telegrafi/