Më 7 tetor në orët e mbrëmjes ndodhi një avari në Trafon Tuneli, më saktësisht në sistemin 35 kV, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin kur ka ndodhur avaria, në minierë kanë qenë 63 minatorë, të cilët kanë qenë në ndërrimin e dytë dhe sipas planifikimeve ata do ta përfundon në ora 23:00.
Derisa 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, 9 prej tyre kanë mbetur në minierë me orë të tëra.
Furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50
Trepça tutje kishte njoftuar Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.
Ekipet teknike janë duke punuar në sanimin e avarisë, përfshirë kontrollimin dhe zëvendësimin e pesë (5) siguresave mbrojtëse 6.3 kV, si dhe të elementeve të tjera përkatëse të instalimit elektrik.
Pse ishte vështirësuar procesi i sanimit?
Trepça ka njoftuar se procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok.
Në njoftim thuhet se pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit.
Sindikata: Nuk duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që pastaj të veprohet
Pas avarisë në Trepçë i ashpër ka qenë reagimi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.
Sindikata ka shprehur shqetësim të thellë për rastin, ndërsa theksojnë se nuk duhet pritur të ndodhë ndonjë tragjedi e pastaj të reagohet.
“Ne si Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shpreh shqetësimin e tonë të thellë për situatën e krijuar në minierë, ku minatorët mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës. Ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje.
Sindikata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve”, thuhej në reagim.
Tutje, Sindikata thekson se minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën.
“Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.
Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve. Mediat po e pasqyrojnë me përgjegjësi zërin e minatorëve, por nuk mund të jetë vetëm media ajo që reagon. Institucionet duhet të veprojnë”, thuhet tutje.
Po ashtu, Sindikata thekson se Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit.
“Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim! Faleminderit për të gjithë që bashkndjet me ne minatorët!”, thuhet në reagim.
Pas rastit, ka reaguar shkurt edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, por pa përmendur rrezikun që i kanoset minatorëve.
“Të gjithë minatorët kanë dalë në sipërfaqe, të fundit në orën 02:50 të mëngjesit, pas rikthimit të furnizimit me energji në minierë. Ndërrimi i parë ka nisur punën normalisht.
Falënderoj ekipet e Trepçës, KOSTT-it dhe të gjithë ata që kontribuuan për përballimin e situatës”, ka shkruar ajo shkurt në Facebook.
IHDNJ: Jeta dhe siguria e minatorëve duhet të jetë prioritet
Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur shqetësim lidhur me situatën që ishte krijuar në minierën e Stantërgut.
Sipas institutit, minatorët ndodheshin të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi që arrijnë deri në rreth 645 metra.
“Jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë prioriteti absolut. Çdo minutë është e rëndësishme dhe operacioni i shpëtimit duhet të zhvillohet me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë”, thuhet në reagimin e IHDNj-së.
IHDNj ka kërkuar edhe sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit, përfshirë shkaqet dhe funksionimin e mekanizmave, pajisjeve dhe procedurave të sigurisë.
Sipas IHDNj-së, minatorët përballen gjatë punës me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe rreziqeve të tjera që mund të kenë pasoja për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
“Siguria e minatorëve nuk mund të bëhet temë vetëm kur ndodh një incident. Ajo duhet të garantohet çdo ditë, në çdo ndërrim dhe në çdo metër nën tokë”, thuhet më tej në reagim.
IHDNj ka kërkuar që, pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, të bëhet një vlerësim i plotë i gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë.
Instituti ka kërkuar gjithashtu transparencë të plotë dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme. /Telegrafi/