Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar sot një takim me Bordin Drejtues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, ku është diskutuar situata aktuale në sektorin e qumështit.
Sipas Ministrisë, Muja theksoi se MBPZHR-ja mbetet e përkushtuar që të adresojë sfidat në këtë sektor dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për stabilizimin e zinxhirit të vlerës, duke përfshirë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit dhe produkteve të tij.
Ai nënvizoi se mbështetja e prodhuesve vendorë, ruajtja e konkurrencës së drejtë në treg dhe siguria ushqimore janë ndër prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë.
Tutje, në komunikatë thuhet se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë bashkëpunimin me prodhuesit, përpunuesit dhe institucionet përgjegjëse, me synim gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për sektorin e qumështit në Kosovë.