Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë se në qumështoren Vita (Abrazen) është gjetur se është prodhuar qumësht me emra tjerë tregtarë, të cilat është konstatuar se përmbajnë vaj palme të padeklaruar.
Në një konferencë për media të mbajtur më 10.08.2026, Muja ka thënë se brendet të cilat janë prodhuar nga qumështorja Vita (Abrazen) dhe që është konstatuar se përmbajnë vaj palme të padeklaruar janë “My Cow”, “Land Milk” dhe “Holla”.
“Në mostrën me numër serik 2930 konstatohet prezenca e vajit të palmës, pa u deklaruar. Dhe pyetja është cili është ai qumësht? Më në fund, jemi informuar se bëhet fjalë për qumështin “My Cow”. Ata që thonin “barista”, nuk është “barista”, është qumësht lope. Ky është qumështi “My cow”. Kjo është mostra e parë. Do të ishte fer që subjekti ta paraqes edhe këtë analizë. Çdo subjekt serioz i paraqet të gjitha, siç e kërkon ligji. Edhe AUV-i i komunikon të gjitha. Mostra tregon praninë e vajit të palmës pa u deklaruar” – ka thënë Muja.
Muja ka kërkuar nga Inspektorati i Tregut që të tërheqë nga shitja këto lloj produkte, pasi sipas tij, vazhdon të shitet në markete.
“I njëjti qumësht jo vetëm në tregjet tona, por është eksportuar si qumësht edhe në vendet e tjera. Pyetja që i kam shtruar AUV-it, por si ka mundësi tash një produkt bimor që Republika e Kosovës me marrë përgjegjësinë që është qumësht, sepse kjo e rëndon bukur shumë reputacionin e Kosovës dhe e vendosë pasojat e gjithë sektorit të bulmetit. Në rast se ne bëjmë kësi veprimesh ose i mashtrojmë edhe të brendshmit, por edhe konsuamtorët e jashtëm, nuk është në rregull. I kam kërku këtu në vendim rishikim të saj. Ky produkt është eksportuar edhe në vendet e tjera, në Maqedoni edhe në Shqipëri” – ka deklaruar Muja.
Në pyetjen e KALLXO.com nëse në qumështin “Vita” është gjetur vaj palme i padeklaruar, Muja ka thënë se si ministri nuk merren me emra tregtarë, por ka thënë se sipas raportit të AUV-it, nuk ka një raportim të tillë.
Tash nëse më thu ti mua që katër herë paradite unë po prodhoj qumësht me vaj të palme, e disi po e gjej një mënyrë që pasdite..unë jam i interesuar me e kuptu atë shkelje. Si ia bëjnë këta njerëz me e prodhu? Po është gjetur një mostër që nuk ka problem, por jo për qumështin pluhur. Por në rast që brenda subjektit të njëjtë, llotet, produktet janë përzier, atëherë trajtimi dhe mbikëqyrja e shtuar duhet të shkojë edhe për ato produkte që nuk janë konstatuar me një mostër. Ta zëmë me “My Cow” i ke dy mostra që e konstatojnë. Por jo në bazë të raportit të AUV-it, nuk kemi një raportim të tillë” – tha Muja para gazetarëve.
