Trajneri Mikel Arteta e ka mbrojtur Arsenalin pas kritikave që mori ekipi për mënyrën si festoi kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve, e para pas 20 vitesh.
“Topçinjtë” siguruan finalen ndaj Paris Saint-Germain, që do të luhet në Budapest më 30 maj, pasi mposhtën Atletico Madridin 1-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, duke e mbyllur përballjen me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Me këtë ecuri, Arsenali barazoi edhe rekordin e klubit për numrin më të madh të fitoreve në një sezon (41 në të gjitha garat), një shifër që ishte arritur më parë në sezonin 1970/71, kur klubi fitoi kampionatin dhe FA Cup.
Fitorja, e cila gjithashtu e pa Arsenalin të vendoste serinë më të gjatë pa humbje në historinë e tij në Kupën e Evropës/Ligën e Kampionëve (14 ndeshje), solli skena të zjarrta në “Emirates”, ku lojtarët dhe Arteta festuan në fushë.
Megjithatë, Arsenali u kritikua nga disa, me Wayne Rooneyn më të zëshmin, i cili tha se festimet ishin “paksa të tepruara”, duke qenë se trofeu ende nuk është fituar.
“Nuk e dija për këtë, por duhet të respektojmë çdo opinion dhe ta vendosim aty ku i takon. Nuk është e rëndësishme”, deklaroi Arteta kur u pyet për reagimin e tij.
“Po supozoj se kritika është pozitive dhe negative. Kjo të bën më të mirë. Ti dëshiron të vendosësh standarde më të larta dhe të performosh në nivele që të ndihmojnë të garosh për dy kompeticionet më prestigjioze në Evropë.
Duhet të jesh i përgatitur për këtë, sepse të bën më të mirë, kjo është e sigurt”.
Ndërkohë, me finalen e Ligën e Kampionëve që është në fund të muajit, Arsenali e zhvendos fokusin te gara për titullin në Ligën Premier, ku të dielën e pret një udhëtim te West Ham./Telegrafi/