Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin e gazit lotjsellës në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë rast të akuzuar janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ish-deputetja Drita Millaku; deputeti Salih Zyba dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvendin e Kosovës më 21.03.2018, raporton Kallxo.com.
Gjykata ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në seancën e datës 16.01.2026, kishte marrë vendim për të veçuar procedurën.
Me të filluar seanca e datës 10.04.2026, gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të pandehurit Salih Zyba dhe Fitore Pacolli e kanë njoftuar Gjykatën se të njejtit kanë pranuar ftesë për seancë në Kuvendin e Kosovës, andaj nuk mund të prezentojnë në gjykatore.
Ndërsa për të pandehurën Drita Millaku gjyqtari njoftoi se të njëjtës ftesa i është dorëzuar në adresën e specifikuar por që nga fletëkthesa rezulton se e njëjta nuk ka qenë prezent kur është dorëzuar ftesa.
Gjyqtari Sabit Sadikaj njoftoi të pranishmit në sallë se ndaj të pandehurve do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.
Prezent në seancë nga radhët e Prokurorisë ishte prokurori Avni Namani.
Kësisoj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, seanca e sotme u shty dhe e radhës u caktua për në muajin prill 2026.
Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 i akuzuari Salih Zyba, në fjalën hyrëse kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi, duke thënë se i njëjti është djali i sekretarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.
E si rrjedhojë e kësaj kërkese, seanca e datës 16.01.2026 ishte ndërprerë.
Në po këtë seancë i pranishëm nuk kishte qenë ministri Xhelal Sveçla. Gjykata kishte marrë vendim që ndaj Xhelal Sveçlës të veçohet procedura.
Ndërsa kërkesën e Zybës për përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi e kishte refuzuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi.
Kjo çështje penale po trajtohet në Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës së Prishtinës me gjyqtarin e vetëm gjykues Sabit Sadikaj.
Kujtojmë se më 26.03.2024 është mbajtur shqyrtimi fillestar. Në këtë seancë gjyqtari Sabit Sadikaj kishte bërë të ditur se vepra penale “pengim i personit zyrtar” është vjetërsuar dhe gjykimi vazhdon vetëm për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” të gjithë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.
Edhe seancat e kaluara, më 16.01.2024 dhe më 06.02.2024, kishin dështuar të mbaheshin për shkak të mos-prezencës së deputeteve, Fitore Pacolli dhe Drita Millaku. Po ashtu, edhe më 28.02.2024 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së Fitore Pacollit. Ndërsa, më 01.03.2024 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së Drita Millakut.
Kurse, më 07.04.2025 kishte dështuar për shkak të mungesës së ministrit Sveçla dhe Fitore Pacollit. Ndërsa, më 17.04.2025 dhe më 02.07.2025 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së Fitore Pacollit.
Më datë 22.07.2025 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit, Valdrin Krasniqi.
Aktakuza ndaj Sveçlës, Pacollit, Zybës e Millakut është ngritur më 26.07.2019 nga prokurori Eset Rama.
Sipas Prokurorisë, hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.
Me këto veprime ata akuzohen edhe për “pengim të personit zyrtar”, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në mesin e provave që Prokuroria i mbështet akuzat e saj janë: incizime nga salla e Kuvendit, raporte policore, foto-dokumentacion, vendimi i Kryesisë së Kuvendit për ndërprerjen e seancës atë ditë dhe shkresa të tjera të lëndës.
Sipas Dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në Polici.
Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes kritike.
Aktakuza është ngritur nga prokurori Eset Rama, kurse gjyqtari i rastit është Sabit Sadikaj.