Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, beson fuqimisht se nuk ka një favorit të qartë për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.
PSG është nikoqir i Liverpoolit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, e cila pritet të zhvillohet të mërkurën nga ora 21:00.
Kjo ndeshje pritet me entuziazëm të madh nga tifozët e futbollit, me vendasit që hynë si favorit, por jo edhe sipas trajnerit Enrique.
“Nuk ka rëndësi se kush është favoriti, ose kush thua se është favoriti. Në këtë garë, me ekipe si këto, nuk mund të ketë favorit. Nuk besoj se ne jemi favoritët. Vitin e kaluar, të gjithë thanë se ishte Liverpooli dhe PSG u kualifikua. Nuk ka favoritë”, ka thënë fillimisht trajneri spanjoll.
“Mendoj se mund të jetë një ndeshje si ajo e vitit të kaluar; është një tjetër ndeshje e parë në shtëpi. Por gjërat mund të ndryshojnë shpejt, varësisht nga rezultati dhe faktorë të tjerë”.
“Do të përpiqemi ta kemi më shumë topin në zotërim. Por e dimë sa e vështirë do të jetë; ata janë një ekip shumë i mirë me shumë lojtarë cilësorë dhe një trajner shumë të mirë”.
“Do të jetë shumë e komplikuar. Jemi mësuar të luajmë kundër ekipeve angleze”, përfundoi Enrique. /Telegrafi/